Policia e Elbasanit ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një 66-vjeçar u gjet pa shenja jete në banesën e tij.
Sipas autoriteteve, viktima, shtetasi E. A., ndodhej në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati, në lagjen “Luigj Gurakuqi”. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se ai ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, duke pësuar dëmtime fatale.
Trupi i 66-vjeçarit u gjet pothuajse i djegur, ndërsa nuk raportohet për përfshirje të personave të tjerë në këtë ngjarje. Policia bën të ditur se bëhet fjalë për një rast të dyshuar aksidental.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po vijon veprimet procedurale për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.