Dëshmia e Sebastian Muçmatës, i dyshuar për plagosjen e Elvis Halilajt, kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj, ka zbardhur ngjarjen që tronditi qytetin.
Sipas Muçmatës, konflikti mes tij dhe Halilajve ka nisur për arsye të detyrës së vëllait të tij, Zenel Muçmata, drejtor i Shërbimit Publik në Bashkinë Kukës.
Muçmata ka pohuar se nuk kishte ndërmend të vriste askënd, por se veproi në vetëmbrojtje. Ai shprehet se gjithçka ndodhi pasi Qerim Halilaj, vëllai i të plagosurit, i drejtoi një armë babait të tij, Izet Muçmata. Në këtë moment, Sebastiani mori një pistoletë nga makina dhe qëlloi në drejtim të rrugës ku ndodheshin dy vëllezërit Halilaj. Ai theksoi se, po të kishte pasur qëllim vrasjen, do ta kishte realizuar, por qëllimi i tij ishte vetëm mbrojtja e jetës së tij dhe të familjes.
Sipas dëshmisë së Muçmatës, ky konflikt ka origjinën në largimin nga puna të Elvis Halilajt, një vendim që, sipas tij, është marrë nga vëllai i tij Zenel Muçmata në detyrën e tij si Drejtor i Shërbimeve Publike. Pavarësisht këtij incidenti, Zenel Muçmata nuk është ndaluar nga autoritetet dhe hetimet për ngjarjen vazhdojnë ende.
Sebastian Muçmata, i cili përballet me akuzat për “vrasje me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, ka mbrojtur veprimet e tij, duke theksuar se veproi në kushte të ekstremit dhe se nuk kishte qëllim të shkaktonte vdekjen e dikujt.
Në këtë ngjarje, që tronditi jo vetëm familjet e përfshira, por edhe opinionin publik, hetimet e autoriteteve janë ende të hapura. Policia vazhdon të mbledhë prova dhe të intervistojë dëshmitarët për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.