Pas njoftimit të tij se do të largohej nga përfaqësuesja e Francës pas Botërorit të 2026, Didier Deschamps ka thyer heshtjen dhe ka folur për të ardhmen e tij, për pasuesin e mundshëm dhe për rolin e Kylian Mbappé në skuadrën franceze.
Për herë të parë, ai ka shpjeguar vendimin për të dhënë dorëheqjen dhe ka zbuluar mendimin e tij për Zinedine Zidane si pasues natyral.
“Jam pak i befasuar nga zhurma që u krijua dhe nga rëndësia e këtij vendimi”, u shpreh Deschamps në një intervistë për L’Equipe. “Ky ishte një vendim që e kisha marrë prej kohësh në kokën time. Pas Botërorit 2022, e dija shumë mirë që nuk do të shkoja më larg se kaq. E dija që Botërori i 2026 do të ishte i fundit për mua në krye të Francës.”
Deschamps gjithashtu u pyet për mundësinë e Zinedine Zidane si pasuesin e tij në stolin e Francës. Ai nuk nguroi të thoshte se Zidane është një “kandidat natyral” për këtë post. “Kemi shumë respekt mes nesh. Zizu është një kandidat optimal, një kandidat natyral. Të jem i sinqertë, nuk e di nëse e dëshiron këtë post. Vendimi do të jetë i tij dhe i presidentit”, tha ai.
Përsa i përket Kylian Mbappé, Deschamps e përjashtoi çdo mundësi që ai të humbiste postin e kapitenit. “Ai është kapiteni për mua, por sigurisht do të bëjmë një diskutim mes nesh, do të reflektojmë për këtë”, theksoi trajneri i “gjelave”. Ky koment erdhi pas vendimit të Deschamps për të mos e grumbulluar Mbappé për ndeshjet e Ligës së Kombeve, një vendim që kishte shkaktuar shumë diskutime.
Deschamps gjithashtu ka zbuluar se nuk planifikon të dalë në pension pasi të largohet nga përfaqësuesja franceze. Ai ka theksuar se do të vazhdojë të punojë si trajner, duke hapur mundësinë për një angazhim tjetër në botën e futbollit pas largimit nga Franca.
Këto komente vijnë në një periudhë të rëndësishme për futbollin francez, ku e ardhmja e trajnerit dhe e kapitenit të Francës po formësohet në prag të Botërorit të ardhshëm.