Deputetët e Partisë Demokratike manifestim sensibilizues përpara Parlamentit Europian në Strasburg.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur protestën e tyre para Parlamentit Europian në Strasburg, duke veshur bluza të stampuara me sloganin “Free Berisha”.

Ata po përpiqen të tërheqin vëmendjen ndaj çështjeve që i shqetësojnë në Shqipëri.

Deputetja Dhurata Çupi mbante një pankartë në anglisht me mesazhin “Duam t’i bashkohemi Europës, jo me varka”, duke theksuar dëshirën e shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së në mënyrë të rregullt dhe dinjitoze. Nga ana tjetër, deputetja Elda Hoti kishte një pankartë me mesazhin “Lironi deputetin Salianji”, duke kërkuar lirimin e kolegut të tyre.

Ndërkohë, disa nga deputetët, si Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetët Lukas Mandl dhe Davor Ivo Stier, përfaqësues të grupit parlamentar të EPP në Parlamentin Europian. Ata kanë diskutuar për shqetësimet dhe situatën politike në Shqipëri.

Pjesa tjetër e deputetëve janë pozicionuar me pankarta përpara Parlamentit Europian dhe do të vazhdojnë protestën për një kohë të caktuar. Ata duan të tërheqin vëmendjen e europianëve ndaj asaj që e cilësojnë si një rritje të autoritarizmit dhe problemeve me korrupsionin në Shqipëri.

Rreth 30 deputetë ndodhen në Strasburg për të protestuar në të njëjtën ditë që Parlamenti Europian mblidhet në seancë plenare. Në fokus të takimeve të tyre me europarlamentarët janë çështje si arrestimi i deputetit Salianji, mosvotimi i PS për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe lidhjet e qeverisë me krimin e korrupsionin.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera