Shpenzimet mujore totale për 129 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë variojnë nga 16 deri në 19 milionë lekë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve lidhet me dietat ushqimore, telefoninë dhe shpenzimet e tjera suplementare që mbulohen nga buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave, vetëm dieta ushqimore mund të arrijë deri në 148.902 lekë në muaj për një deputet. Ndërkohë, shpenzimet për karburant dhe telefoninë kapin rreth 60 mijë euro në muaj në total për parlamentin.
Në listën e deputetëve që shpenzojnë më pak për dietat dhe përfitimet shtesë përmenden disa emra që kanë refuzuar një pjesë të trajtimeve financiare. Bujar Leskaj rezulton se refuzon dietat ushqimore dhe rreth 17.000 lekë për telefon. Agron Shehaj ka shpenzime minimale dhe nuk merr dietën e majme. Edhe Sali Berisha nuk ka marrë dietat e plota, duke rezultuar me shpenzime më të ulëta. Ndërkohë, Blendi Klosi ka refuzuar disa bonuse, përfshirë dietat ushqimore.
Në anën tjetër qëndrojnë deputetët me shpenzimet më të larta mujore. Zegjine Çaushi rezulton me shpenzime fikse në nivelin maksimal. Fadil Nasufi ka mbi 300.000 lekë shpenzime mujore në total, ndërsa Hatixhe Konomi përfiton dieta dhe qira në vlerat më të larta.
Në këtë listë përfshihen edhe Gazmend Bardhi, që rezulton përfitues i dietave maksimale, si dhe deputetët Eljo Mile, Fidel Kreka dhe Ana Dajko, të cilët janë në shifrat më të larta mujore të trajtimit financiar.
Po ashtu, në grupin e deputetëve me shpenzime të larta përmenden edhe Antoneta Dhima, e cila arrin deri në rreth 300.000 lekë mbi pagë përmes dietave dhe përfitimeve të tjera, Ilirjan Pendavinji me shpenzime në nivelin maksimal të dietave, Asfloral Haxhiu si përfitues i dietave fikse dhe bonuseve shtesë, Greta Bardeli që çdo muaj rezulton në shifrat më të larta të trajtimit, si dhe Elton Korreshi, i cili përfiton mbi 148.920 lekë dietë mujore së bashku me bonuse të tjera.
Të dhënat tregojnë një kontrast të madh mes deputetëve që refuzojnë një pjesë të përfitimeve dhe atyre që përfitojnë maksimumin e mundshëm nga fondet publike. Në këtë panoramë, bie në sy fakti se disa nga deputetët që përfitojnë më shumë nga dietat dhe shpenzimet suplementare janë pikërisht nga qarku i Fierit, duke u kthyer në “kampionë” të përfitimeve nga fondet e Kuvendit.