Depozitat në dollarë afër rekordit të dekadës

Depozitat në dollarë amerikanë arritën 838 milionë në qershor, duke shënuar rritje të fortë vjetore dhe duke u afruar nivelit më të lartë të dhjetë viteve

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, depozitat në dollarë amerikanë në fund të muajit qershor 2025 kapën vlerën prej 838 milionë dollarësh. Kjo përfaqëson një rritje prej 14.5% nga fillimi i vitit dhe 21.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rekordi i dekadës u shënua në prill, me 849 milionë dollarë.

Rritja e kursimeve në valutë nuk është e kufizuar vetëm tek euro, por ka prekur edhe dollarin, monedhën e dytë të huaj më të përdorur në ekonominë shqiptare. Pjesa më e madhe e këtyre depozitave, rreth 68%, zotërohet nga individët, të cilët kanë regjistruar një rritje vjetore prej 23.2%, më e lartë se mesatarja e tregut.

Një faktor nxitës mund të ketë qenë rritja e normave të interesit në dollar pas vitit 2022. Në janar të këtij viti, bankat ofronin norma deri në 2.7% për afatet më të gjata, duke e bërë më tërheqëse këtë monedhë për kursimtarët dhe investitorët.

Megjithatë, një pjesë e prurjeve mund të lidhet edhe me investime alternative jashtë vendit, përfshirë tregjet e kapitalit dhe kriptovalutat. Rritja e çmimit të bitcoin, i cili sot këmbehet rreth 117 mijë dollarë, mund të ketë nxitur disa investitorë të likuidojnë asetet digjitale dhe të rikthejnë fondet në formë depozitash bankare.

Një tjetër burim i rëndësishëm janë pagesat nga shërbimet outsourcing për kompani amerikane apo jashtë BE-së, ku përdoret dollari si monedhë standarde. Po ashtu, eksportet e mallrave të kuotuara në USD dhe tregjet jashtë Europës mbeten kontribues të qëndrueshëm në këtë prurje valutore.

Ndërkohë, depozitat në euro në fund të qershorit arritën në 8.12 miliardë euro, shumë pranë nivelit historik. Por, ndryshe nga dollari, rritja vjetore e tyre është ngadalësuar në 7.5%, duke u mbajtur në nivele njëshifrore.

Sipas ekspertëve, rritja e përgjithshme e depozitave në valutë lidhet ngushtë me flukset hyrëse nga turizmi dhe investimet në pasuri të paluajtshme, të cilat kanë sjellë në banka sasi rekord valute gjatë muajve të fundit.

Ndaj Postimin: