Partia Demokratike ka ngritur alarmin për një skemë të dyshuar manipulimi votash nga mazhoranca në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
Në një deklaratë nga selia blu, përfaqësuesi politik i PD-së në Korçë, Ivi Kaso, akuzoi ministrin Niko Peleshi për hapjen e një zyre të Partisë Socialiste pranë konsullatës shqiptare në Selanik, të cilën e paraqet si zyrë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Kasos, kjo zyrë ka për qëllim mbledhjen dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të emigrantëve shqiptarë për qëllime elektorale. “I bëjmë thirrje shqiptarëve në Greqi që të mos bien pre e kësaj skeme dhe të kuptojnë se të dhënat që japin aty shkojnë në duart e Partisë Socialiste dhe rrjetit të patronazhimit,” deklaroi Kaso.
PD-ja ka kërkuar nga KQZ që të informojë qytetarët se institucionet zyrtare të saj ndodhen vetëm në Tiranë dhe se çdo proces regjistrimi për votim realizohet përmes platformës online. Kaso e konsideroi këtë veprim si një përpjekje të mazhorancës për të përzier funksionet e shtetit me ato të partisë, duke e cilësuar si një shkelje të rëndë të standardeve zgjedhore.
Në deklaratën e tij, Kaso shtoi se ky veprim përbën një cenim të rëndë të të dhënave personale dhe një vepër penale. Ai bëri thirrje për ndërhyrjen e SPAK-ut për të hetuar burimet financiare dhe qëllimin e këtyre zyrave të dyshimta, të cilat sipas tij mund të përdoren edhe për shitblerjen e votave.
PD-ja ka premtuar se do të jetë vigjilente në monitorimin e çdo veprimi që cenon standardet zgjedhore dhe do të referojë çdo rast të dyshuar tek organet kompetente. Për këtë qëllim, opozita u ka bërë thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë që të raportojnë çdo shkelje pranë strukturave të PD-së.
Në vijim të deklaratës, Kaso ka ironizuar ministrin Peleshi, duke e akuzuar për përpjekje për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve dhe për të siguruar mbështetjen e shefit të tij politik. “Korçarët, pogradecarët, devollinjtë dhe gjithë rajoni i kanë ndarë mendjen të mos votojnë për çerek shekullin e Nikos në pushtet, por për të ardhmen e fëmijëve të tyre,” përfundoi ai.
Denoncimet e PD-së vijnë në një moment të ndjeshëm politik, ku partitë kryesore po mobilizojnë mbështetësit e tyre për zgjedhjet e ardhshme, duke rritur tensionet dhe akuzat për manipulim votash dhe keqpërdorim të burimeve publike.