Denoncimi i PD: Ndërtime luksi për të pasurit, shkatërrime për qytetarët e pambrojtur

Partia Demokratike ka denoncuar publikisht një seri abuzimesh që lidhen me ndërtimet në zonën e Farkës, ku, sipas saj, kompania e dhëndrit të një deputeti të PS po ndërton vila luksoze, ndërkohë që dëmtohen rrugët dhe banesat e qytetarëve të thjeshtë.

Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, banorët e zonës kanë denoncuar shembjen e rrugëve pranë Liqenit të Farkës, si dhe masakrat mjedisore të kryera nga kompania Al Point shpk, e cila zotërohet nga Aleksandër Vasili, dhëndri i Kujtim Qefalisë, ish-kryetar i komunës Dajt dhe vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia. Banorët pretendojnë se punimet në zonë janë kryer pa kriter, shpesh gjatë natës, duke shkaktuar panik dhe dëmtime të mëdha.

“Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht përgjegjësit për këtë masakër urbane dhe shkatërrimin e pronave të qytetarëve. Këto ndërtime të paautorizuara janë simbol i abuzimit të pushtetit për interesa të një pakice të pasur,” deklaroi zëdhënësja.

Denoncimi thekson se, përveç shembjes së rrugëve, janë dëmtuar edhe disa shtëpi, ndërsa ndërhyrjet kanë shkaktuar rrëshqitje dhe shkatërrim të kodrave përreth. Banorët shprehen se kompania ka një historik negativ, me 14 masa vendosjeje sekuestrosh mbi pasuritë e saj, dhe se ka marrë pjesë në projekte të dyshimta ndërtimi në zona të ndryshme të Tiranës.

Mes projekteve të kompanisë përmenden ndërtimet në zonën e Dajtit, Freskut, Tufinës dhe rrugës “5 Maji,” ku kompania ka përfituar një tender rindërtimi prej 4.9 milionë eurosh. Së fundmi, kompania ka marrë edhe leje ndërtimi për një kullë 44-katëshe në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë.

“Qeveria dhe përfaqësuesit e saj lokalë po shkatërrojnë kodrat përreth Tiranës, duke nxjerrë çdo qindarkë nga pasuritë publike dhe duke ndërtuar vetëm për njerëzit e pushtetit. Kjo është fytyra e vërtetë e ‘Shqipërisë 2030’ që propagandon Edi Rama,” tha PD, duke bërë thirrje për protesta masive më 11 maj për të ndalur këto abuzime.

Banorët e Farkës kanë kërkuar mbështetje për të ndalur këto ndërhyrje dhe për të siguruar rikthimin e infrastrukturës së dëmtuar, ndërsa PD ka paralajmëruar denoncime të mëtejshme për skandalet që lidhen me këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera