Urdhri i një viti më parë i kryeministrit Edi Rama për riformatimin e drejtorëve në Bashkinë e Vlorës duket se po vihet sërish në pikëpyetje. Edhe pse 21 drejtorë dhanë dorëheqjen në bllok, zhvillimet e fundit sugjerojnë rikthime në pozicione drejtuese.
Rasti i përmendur është ai i Sokol Kananaj, i cili, ndonëse dha dorëheqje në vitin 2025, pritet të emërohet drejtor në Drejtorinë e Shërbimit të Tatimpaguesve, pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Vlorë.
Denoncimi dhe akuzat
Në redaksi ka mbërritur një denoncim ku pretendohet se Kananaj u hoq nga detyra disa muaj më parë, pasi kishte kryer një zhbllokim llogarie që, sipas denoncuesit, nuk duhej të realizohej, për shkak se subjekti përkatës kishte detyrime ndaj tatimeve të Bashkisë Vlorë.
Sipas këtij denoncimi, çështja ndodhet në Prokurori dhe ngrihet pyetja: “Si është e mundur që një person me shkelje të rikthehet sërish në Tatime?”
Në dokumentin e publikuar, rezulton se Kananaj do të emërohet drejtor i Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Vlorë.
Emërimi dhe procedura
Nga njoftimi i Departamentit të Administratës Publike (DAP) rezulton se ai ka qenë kandidat i vetëm në garë. Sipas informacionit të bërë publik, intervista për pozicionin është parashikuar për datën 2 mars 2026.
Ndërkohë, pretendohet se nuk ka pasur njoftim të mëparshëm për vend vakant nga Tatimet e Vlorës, çka ka shtuar dyshimet mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës.
Kananaj ka mbajtur më herët funksione drejtuese, përfshirë si drejtor në UKT dhe në Tatimet e Bashkisë Vlorë, dhe tani pritet të rikthehet në një tjetër pozicion drejtues në administratën tatimore.
Dorëheqjet “për sy e faqe”?
Dorëheqjet masive në bashkitë e vendit, pas urdhrit të kryeministrit për riformatim, u interpretuan si një lëvizje për të rritur përgjegjshmërinë dhe për të sjellë frymë të re në administratë. Megjithatë, raste si ky po ngrenë pikëpyetje nëse këto ndryshime kanë qenë reale apo vetëm formale.
Çështja e përmendur mbetet në vëmendje, ndërsa pritet të shihet nëse institucionet do të japin sqarime lidhur me procedurën dhe akuzat e ngritura.