Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat ka shpallur fajtor ish drejtuesin e Shërbimit Informativ të Shtetit, Aleksandër Shulla, dhe djalin e tij, Pandeli Shulla, për tre vepra penale: organizim të lojërave të fatit, armëmbajtje pa leje dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Pandeli Shulla është dënuar me dy vite burgim, të reduktuara në një vit e katër muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, ekzekutimi i dënimit është pezulluar, duke u vendosur në provë për një periudhë dy vjet e tetë muaj, me detyrimin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Aleksandër Shulla u dënua me gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje dhe me dy vite burg për nxjerrje të sekretit shtetëror. Pasi përfitoi ulje dënimi, ai do të vuajë një vit e katër muaj burg, i cili po ashtu është pezulluar me kusht për dy vjet e tetë muaj. Gjykata vendosi gjithashtu që ish drejtuesit të SHISH t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.
Hetimet nisën pas zbulimit të një ambienti në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ku sipas prokurorisë Pandeli Shulla kishte vënë në funksion kompjuterë me aplikacione për lojëra fati online. Verifikimet teknike konfirmuan se pajisjet lidheshin me platforma të ngjashme me ato të kazinove virtuale.
Gjatë kontrollit në banesën e Aleksandër Shullës, policia gjeti municion të kalibrit 7.62 mm dhe tre krehra të mbushur. U sekuestruan gjithashtu dy USB, brenda të cilave u zbuluan materiale të klasifikuara si “sekret shtetëror”, të cilat sipas SHISH administrohen vetëm në një kopje dhe nuk lejohen të kopjohen apo shumëfishohen.
Gjykata arriti në përfundimin se të pandehurit kishin kryer veprat penale të evidentuara dhe miratoi kërkesat e prokurorisë në lidhje me dënimet.


