Dënimi i zyrtares së Durrësit dhe rrjeti i pastrimit të parave

Gjykata e Posaçme ka dënuar ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, me 4 vite e 8 muaj burg, por ajo i shpëtoi qelisë duke u vendosur në provë për 3 vite, ndërsa bashkëpunëtorët e saj do të vuajnë dënime të plota në burg.

Një vit pas përfundimit të hetimeve, drejtësia ka mbyllur kapitullin e gjatë të çështjes ndaj ish-drejtoreshës së Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, e akuzuar për ndihmë në pastrimin e parave të një grupi të lidhur me trafik ndërkombëtar droge.

Në vendimin e shpallur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dashi u shpall fajtore për bashkëpunim në pastrimin e produkteve të veprës penale, por gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke e lënë atë nën mbikëqyrje për tre vite.

Hetimi kishte nisur pas sinjalizimeve për aktivitet të dyshimtë financiar të vëllezërve Besian dhe Leonard Ramaj, të cilët ishin dënuar në Belgjikë për trafik narkotikësh. Përmes lidhjeve me biznesmenë dhe zyrtarë në Shqipëri, ata kishin tentuar të fusnin në qarkullim miliona euro të fituara nga droga.

Në të njëjtën dosje u përfshi edhe Ardjan Malasi, i cili kishte shërbyer si ndërmjetës në disa prej transaksioneve të dyshimta.

Trupa gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, pas shqyrtimit të provave, vendosi dënime të ashpra për pjesëtarët e grupit.

Besian Ramaj u dënua me 10 vite burg, që pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundoi në 6 vite e 8 muaj. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Vëllai i tij, Leonard Ramaj, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, të reduktuara në 5 vite pas aplikimit të të njëjtës procedurë. Edhe ai u shpall i pafajshëm për akuzën e grupit kriminal.

Ardjan Malasi, që sipas prokurorisë kishte rol të drejtpërdrejtë në menaxhimin e parave, mori 9 vite burg, të cilat pas reduktimit u kthyen në 6 vite.

Për Rajmonda Dashin, gjykata përcaktoi dënim me 7 vite, që pas uljes u reduktua në 4 vite e 8 muaj. Por në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, ekzekutimi u pezullua, dhe ajo u vendos në provë për tre vite.

Kushti i vendosur nga gjykata është që gjatë kësaj periudhe, Dashi të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Shërbimin e Provës.

Ndaj saj u hoq gjithashtu masa e sigurimit “detyrimi për t’u paraqitur në polici” dhe “ndalimi për të dalë jashtë shtetit”.

Në vendim përfshihen edhe detaje për sekuestrimet e kryera gjatë hetimeve: disa telefona celularë, njësi kompjuterike, dokumente noteriale dhe një shumë prej 2095 eurosh dhe 239,500 lekësh, që u gjetën në automjetin e Malasit.

Gjykata urdhëroi mbajtjen e disa prej provave në fashikullin hetimor, përfshirë DVD-të, USB-të dhe hard disqet me të dhënat e ekspertimeve, ndërsa disa pajisje dhe dokumente iu kthyen pronarëve të tyre pas përfundimit të procesit.

Të pandehurit do të përballojnë gjithashtu edhe shpenzimet proceduriale e gjyqësore, të cilat do të ndahen në mënyrë solidare.

Ky vendim shënon një tjetër rast të hetimeve për pastrimin e parave që përfshin ish-zyrtarë publikë, ku shpesh dënimet me kusht ngjallin debat për butësinë e drejtësisë ndaj pushtetarëve.

Ndërkohë, për të dënuarit e tjerë, periudha e vuajtjes së dënimit do të nisë menjëherë pas ekzekutimit të vendimit në burgje të sigurisë së zakonshme.

Prokuroria e Posaçme theksoi se ky proces është pjesë e hetimeve të zgjeruara ndaj rrjeteve që përpiqen të fusin në ekonomi paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës përmes ndërmjetësimeve të biznesit dhe zyrtarëve vendas.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga dita e komunikimit të tij.

Kështu, ndërsa Rajmonda Dashi i shpëtoi burgut, bashkëpunëtorët e saj do të qëndrojnë pas hekurave, duke u bërë shembull i rrallë i dënimeve të plota në dosjet e pastrimit të parave në vend.

NJOFTIMI I VENDIMIT TE GJKKO

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 18, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 65, datë 17.10.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 vite burgim.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Besjan Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal.

3. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Besjan Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim.

4. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.

6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Leonard Ramaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.

7. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonard Ramaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.

8. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

9. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 9 vite burgim.

10. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ardjan Malasi për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i K.Penal.

11. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Ardjan Malasi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite burgim.

12. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i arrestimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

13. Deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Dashi për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e saj me 7 vite burgim.

14. Në zbatim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Rajmonda Dashi i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 8 muaj burgim.

15. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të këtij dënimi, duke e vënë në provë të pandehurën Rajmonda Dashi, për një periudhë kohe prej 3 vitesh me kusht që gjatë kësaj kohe, të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

16. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale deklarohet heqja e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 234 dhe 233 i K.Pr.Penale dhe caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Dashi me anë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

17. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “a” të K.Pr.Penale provat materiale si: aparat telefonik celular i markës “Nokia”, model “3310 TA-1006”, me kartë sim të kompanisë “Vodafone” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; Aparat telefonik celular i markës “iPhone X”, me kartë sim të kompanisë “One” me numër serial ****, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi; Aparat telefonik celular i markës “iPhone 13”, sekuestruar shtetases Rajmonda Dashi; Njësi

kompjuterike sekuestruar në zyrën e shoqërisë “Ledio 04” me numër serial **** dhe shuma e parave prej 2095 euro dhe 239500 lekësh sekuestruar në automjetin e të pandehurit Ardjan Malasi.

18. Qëndrimin në fashikull të provave materiale: DVD me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 49 datë 28.03.2024; USB e markës “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 55 datë 03.04.2024; Hard disk i jashtëm markës “Verbatim” me të dhënat e përftuara nga akti i ekspertimit nr. 184; Fotokopje e regjistrit noterial me mbishkrimin në kapakun me ngjyrë vishnje, noter L.M. Në faqen e parë të regjistrit noterial fillon me aktin noterial nr. **** rep. Nr. ****kol. datë 13.06.2023 dhe veprimi i fundit noterial është me nr. **** rep. datë 05.10.2023, gjithsej 78 fletë, sekuestruar shtetasit L.M, me procesverbalin e datës 09.11.2023; Dokumentave të sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 1 deri në numrin rendor 31 sekuestruar në banesën e të pandehurit Ardjan Malasi; Dokumentave të sekuestruara në datën 26.10.2023 nga numri 2 deri në numrin rendor 7 sekuestruar në banesën e të pandehurës Rajmonda Dashi.

19. Në bazë të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të K.Pr.Penale kthimin e provave materiale të pandehurve: Njësi qëndrore e markës “Dell”, me Service tag ****, Express Service Code ****, sekuestruar shtetasit L.M me proceverbalin e datës 09.11.2023. nëntë 9 (nëntë) regjistra noterial sekuestruar shtetasit L.M, me proceverbalin e datës 09.11.2023, shtetasit L.M. Një çantë krahu lëkure me rrip, me ngjyrë blu e errët, me mbishkrimin “ARMANI JEANS”, sekuestruar shtetasit Ardjan Malasi. Pasaportë shqiptare e shtetases Rajmonda Dashi me nr. ****.

20. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

21. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Ndaj Postimin: