Këto pamje i përkasin aksit kryesor rrugor që lidh Bashkinë e Lushnjës me Bashkinë e Kuçovës, konkretisht në zonën e kthesave të Kozarës bashkia kucove . Disa ditë më parë, ky segment ka pësuar zhvendosje të trupit të rrugës, duke u kthyer në një shqetësim serioz për drejtuesit e mjeteve.
Ky aks mbetet një arterie kryesore për lëvizjen e banorëve dhe mjeteve, por dëmtimi i rrugës e bën qarkullimin të rrezikshëm, sidomos në këtë segment.
Aktualisht, rruga është nën administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas pamjeve të siguruara nga kamera e TV Apollon, në zonën ku rruga ka rrëshqitur në një gjatësi rreth 40 metra, janë vendosur shirita sinjalizues për qarkullimin gjatë ditës.
Megjithatë, një problem mbetet mungesa e ndriçimit gjatë natës, duke e kthyer këtë segment në një pikë të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve. Banorët dhe drejtuesit e automjeteve i bëjnë thirrje ARRSH-së që të ndërhyjë sa më shpejt për rikuperimin e kësaj pjese të dëmtuar.
Ata shprehen se situata bëhet edhe më problematike gjatë reshjeve të shiut, kur rreziku i rrëshqitjes rritet ndjeshëm.
Sipas tyre, vonesat në ndërhyrje mund të çojnë në aksidente serioze.
Rikonstruksioni i këtij segmenti shihet si një domosdoshmëri urgjente për sigurinë e qarkullimit.