Rruga që lidh pesë fshatra me Krastën është çarë pas prishjes së një tubacioni, duke rrezikuar qarkullimin dhe sigurinë e banesave në zonë.
Pesë fshatra të Njësisë Administrative Martanesh, në Bashkinë e Bulqizës, përballen me rrezikun e izolimit total pas shembjes së rrugës që i lidh me qytetin e Krastës. Çarja e tubacionit të një hidrocentrali ka shkaktuar rrëshqitje të forta toke, duke dëmtuar rëndë infrastrukturën rrugore dhe duke paralizuar lëvizjen.
Banorët dolën në protestë ditën e martë, duke i kërkuar autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë për të shmangur përkeqësimin e situatës. Ata shprehen se kanë raportuar problemin prej më shumë se gjashtë ditësh, por asnjë institucion nuk ka reaguar deri tani.
Në fshatin Gjon, toka është çarë në disa pjesë, duke e bërë rrugën thuajse të pakalueshme. Banorët janë të shqetësuar për sigurinë e banesave të tyre, pasi shembja po afrohet me ndërtesat. Situata paraqitet alarmante edhe për të mbjellat, pasi është dëmtuar edhe kanali vaditës i vetëm i zonës.
Temperaturat e larta e bëjnë edhe më të vështirë përballimin e mungesës së ujit për tokat bujqësore, ndërsa dëmi ekonomik për familjet është në rritje. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të frenuar përhapjen e krisjes dhe për të rikthyer furnizimin me ujë.
Kryetari i fshatit Gjon, Kasem Muça, deklaron se ka njoftuar institucionet përkatëse, por nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tyre. Ai paralajmëron se nëse situata zvarritet, banorët do të detyrohen të bllokojnë rrugën si formë proteste.
Rruga që është prekur nga dëmtimi ishte asfaltuar vetëm dy vite më parë dhe kishte rritur ndjeshëm aksesin e fshatrave Gjon, Peshk, Val, Lenë dhe Balenj me Krastën. Shembja e saj jo vetëm i izolon këto komunitete, por i ekspozon edhe ndaj rreziqeve të mëdha në mungesë të ndërhyrjes shtetërore.