Dëmshpërblim për familjen e Eleni Topaloudi, shqiptari duhet të paguajë 905 mijë euro

Aleksandër Luca, shqiptari i akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen makabre të studentes greke Eleni Topaloudi, do të paguajë një dëmshpërblim prej 905 mijë euro për familjen e saj.

Ky vendim u dha nga Gjykata e Rodosit, e cila ka njohur dëmshpërblimin për të afërmit e viktimës, duke marrë parasysh dëmin psikologjik, ankthin dhe dhimbjen që ata kanë përjetuar pas krimit të tmerrshëm.

Krimi tragjik ndodhi në nëntor të vitit 2018, në Pefkos Lindos, ku Eleni Topaloudi, 21 vjeçe, u përdhunua dhe u torturua për tre orë nga dy autorët, Aleksandër Luca dhe një shtetas grek, Manolis Koukouras. Pas kësaj, ata tentuan të fshihnin provat e veprimeve të tyre kriminale, duke çuar viktimën në një vend të izoluari. Ajo ishte ende gjallë kur autorët e hodhën nga një shkëmb në det, duke i shkaktuar vdekjen.

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, autorët u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Eleni Topaloudit, dhe tani Luca është detyruar të paguajë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar familjes së viktimës. Ky vendim është një ngushëllim i vogël për të afërmit e 21-vjeçares, të cilët kanë kërkuar drejtësi për tragjedinë që ju ndodhi.

Padia civile për dëmshpërblim u ngrit nga prindërit e Eleni, Ioannis Topaloudis dhe Kyriaki Armoutidou, si dhe nga të afërm të tjerë, të cilët kërkuan kompensim për ankthin dhe dhimbjen e pësuar. Ata e përshkruan krimin si një akt brutal dhe të paprecedentë dhe dënuan mënyrën metodike me të cilën autorët tentuan të fshihnin krimin.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën për dëmshpërblim ndaj Aleksandër Lucas, por rrëzoi padinë ndaj Manolis Koukouras, i cili ishte gjithashtu i përfshirë në krim. Ndërkohë, dëmshpërblimi u shpërnda në disa kategori për të afërmit e viktimës, përfshirë babanë, nënën, vëllain, gjyshen dhe të tjerë të afërm.

Sipas vendimit të gjykatës, shumat e dëmshpërblimit janë shpërndarë si më poshtë:

  • 240.000 euro për babain, Ioannis Topaloudis
  • 240.000 euro për nënën, Kyriaki Armoutidou
  • 200.000 euro për vëllain e Eleni Topaloudit
  • 100.000 euro për gjyshen e Eleni Topaloudit
  • 100.000 euro për trashëgimtarët e gjyshit të Eleni Topaloudit
  • 25.000 euro për secilin nga dajat e Eleni Topaloudit

Ky vendim, ndonëse i rëndësishëm për drejtësinë, nuk mund të kompensojë dhimbjen e pafund që ka përjetuar familja e Eleni Topaloudit. Vrasja e studentes ka tronditur jo vetëm familjen e saj, por edhe gjithë shoqërinë greke, duke nxitur reagime të shumta për pasojat që ka lënë ky krim makabër.

Nëna dhe babai i Eleni, Ioannis dhe Kyriaki, janë shprehur të tronditur nga mënyra se si u trajtua jeta e vajzës së tyre dhe janë shprehur se dëmshpërblimi, megjithatë, nuk do të mbushë kurrë boshllëkun e lënë nga humbja e saj.

Ndaj Postimin: