Demokratët publikojnë pamje nga ishulli privat i Jeffrey Epstein, dikur qendra e abuzimit seksual ndaj vajzave dhe grave

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, pjesë e Komitetit të Mbikëqyrjes, publikuan të mërkurën foto dhe video nga ishulli privat Little St. James në Karaibe, që i përkiste Jeffrey Epstein. Materiali i publikuar për herë të parë hedh dritë mbi ambientet ku krimineli i dënuar seksual ushtronte abuzime sistematike ndaj vajzave dhe grave.

Pamjet tregojnë një shtëpi të ngjashme me resort luksoz, të rrethuar me palma, pishinë dhe ambiente të brendshme të rregulluara në mënyrë të sofistikuar. Në disa prej fotove shfaqen dhoma gjumi dhe banjo, ndërsa një prej ambienteve përmban një pajisje që ngjan me karrige dentare. Në një foto tjetër shfaqet një zyrë me një tabelë të zezë, ku janë shkruar fjalë si “fuqi”, “mashtrim”, “e vërtetë”, “muzikë” dhe “politikë”.

Pamjet përfshijnë gjithashtu një telefon me emra të regjistruar në funksionin e telefonatave të shpejta, si “Darren”, “Rich”, “Mike”, “Patrick” dhe “Larry”.

Sipas CNN, të gjitha fotot dhe videot e publikuara janë të marra nga ishulli Little St. James, i njohur si vendi kryesor ku Epstein organizonte dhe kryente abuzimet e tij.

Publikimi i materialeve vjen pas nënshkrimit të një ligji nga presidenti Donald Trump, që detyron Departamentin e Drejtësisë të bëjë publike dokumentet që lidhen me çështjen Epstein. E ashtuquajtura “dosja Epstein” pritet të publikohet së shpejti dhe ka ngjallur interes të gjerë në opinionin publik.

Ligjvënësi demokrat Robert Garcia deklaroi se publikimi i këtyre pamjeve synon transparencë të plotë në hetimet për krimet e Epstein. “Publikojmë këto foto dhe video për të siguruar transparencë në hetimin tonë dhe për të krijuar një pamje të plotë të krimeve të tmerrshme të tij”, theksoi Garcia.

Ishulli Little St. James mbetet epiqendra e hetimeve të vazhdueshme të autoriteteve amerikane, të cilat po analizojnë provat dhe aktivitetet kriminale të lidhura me Epstein.

Ndaj Postimin: