Deklarata e autorit pas vrasjes në Shkodër

Ragip Gila pranon se shënjestra ishte vetëm Erogen Vaso, por policia dyshon për të tjerë të përfshirë dhe po heton pistat e mundshme të porosisë

Ragip Gila, i arrestuar si autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Shkodër, ka deklaruar para policisë se kishte si objektiv vetëm Erogen Vason, për shkak të një konflikti personal. Sipas tij, gjithçka lidhej me kërcënime dhe sjellje provokuese nga ana e 43-vjeçarit.

Në atentatin e ndodhur, mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri. Gila i ka thënë hetuesve se nuk kishte asnjë konflikt me personat e tjerë dhe nuk kishte qëllim t’i godiste ata.

“Erogeni më ka kërcënuar disa herë dhe më ka çuar fjalë. Ai sillet si i fortë dhe problemi ka qenë vetëm me të. Kam dashur të qëlloj vetëm atë,” ka pohuar Gila, sipas burimeve policore.

Pas ngjarjes, 30-vjeçari tentoi t’i shpëtonte ndjekjes së policisë, por u rrëzua nga një lartësi pranë shinave të trenit, në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar rëndë njërën këmbë. Në momentin e arrestimit, ai ka pranuar se kishte hedhur armën dhe ishte dorëzuar, duke kërkuar ndihmë për dhimbjen e këmbës.

Policia e trajton me kujdes versionin e dhënë nga i arrestuari dhe nuk e përjashton mundësinë që pas këtij atentati të fshihen persona të tjerë. Hetimet janë përqendruar edhe në pistën e një porosie për eliminimin e Erogen Vaso-s.

Vaso, që ishte objektivi kryesor i sulmit, ndodhet ende nën kujdes mjekësor në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Gjendja e tij mbetet e rëndë, por e stabilizuar sipas burimeve spitalore.

Hetuesit po mbledhin dëshmi dhe prova nga vendngjarja, ndërsa pritet të kryhen ekspertiza balistike për armën e gjetur. Sipas policisë, çdo element i ri mund të zbardhë jo vetëm motivin real, por edhe autorët e mundshëm pas skenës.

Në ditët në vijim, pritet që Gila të merret sërish në pyetje, për të verifikuar nëse ka bashkëpunëtorë apo nëse ky ishte një akt i izoluar hakmarrjeje. Autoritetet po mbajnë të hapura të gjitha pistat hetimore.

Ndaj Postimin: