Ditën e sotme, në sallën e Bibliotekës së Qytetit të Lushnjës, u organizua një dëgjesë publike për vendosjen e emrit të bibliotekës, e cila pritet të mbajë emrin e një shkrimtari apo artisti të njohur. Në këtë takim morën
pjesë shoqata, organizata kulturore si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët propozuan emra të ndryshëm dhe ndanë mendimet e tyre mbi rëndësinë e këtij procesi.
Diskutimet u fokusuan në vlerat kulturore, historike dhe artistike që duhet të përfaqësojë emri i bibliotekës, si një institucion i rëndësishëm për edukimin dhe trashëgiminë kulturore të qytetit. Pjesë e këtij takimi publik ishte edhe kryetari i grupit të Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike, z. Klement Cela, i cili u shpreh se përzgjedhja e emrit duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të pasqyrojë kontributin real të figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën dhe artin shqiptar.
Ai theksoi rëndësinë e konsultimit me qytetarët dhe aktorët lokalë, duke e konsideruar dëgjesën publike si një hap pozitiv drejt transparencës dhe vendimmarrjes së përbashkët. Takimi u vlerësua si një mundësi e mirë për të dëgjuar zërin e komunitetit dhe për të ndërtuar një vendim që i shërben identitetit kulturor të Lushnjës ku për këto propozime do të ketë edhe një dëgjesë të dytë në ditet më të afërata .