Deçiç përfiton nga skualifikimi i rivalëve për pjesëmarrje në europë

Vendimi i federatës së Malit të Zi për moslicencimin e dy skuadrave kryesore hap rrugën për Deçiçin e Tuzit që të sigurojë një vend në Ligën e Konferencës për sezonin e ardhshëm.

Në futbollin malazez është krijuar një situatë e pazakontë, pasi federata e vendit nuk ka dhënë licencën europiane për dy klubet më të mira të kampionatit. Buduçnost dhe Petrovac, që renditen përkatësisht në vendin e parë dhe të dytë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s, sepse nuk kanë plotësuar kërkesat financiare të domosdoshme.

Autoritetet përkatëse kanë njoftuar zyrtarisht klubet, të cilat gjithsesi kanë të drejtë të apelojnë këtë vendim. Megjithatë, përjashtimi i tyre ka sjellë përfitime të mëdha për ekipet e tjera që kanë plotësuar kriteret e licencimit.

Deçiçi i Tuzit, një klub shqiptar në Mal të Zi, është një prej përfituesve kryesorë të kësaj situate. Së bashku me Sutjeskën, e cila e mbylli kampionatin në vend të tretë, Deçiçi ka siguruar zyrtarisht liçencën për të luajtur në arenën europiane.

Në renditjen përfundimtare të kampionatit, Deçiçi i Tuzit u rendit në vend të katërt. Por falë përjashtimit të Buduçnostit dhe Petrovacit, tashmë pjesëmarrja në Ligën e Konferencës është e sigurt për klubin shqiptar.

Nëse gjatë apelimit Buduçnost apo Petrovac arrijnë të rikthehen, Deçiçi ka ende një shans të dytë. Ekipi shqiptar do të luajë finalen e Kupës së Malit të Zi kundër Mornar, dhe fituesi i këtij trofeu përfiton automatikisht një biletë europiane.

Ky zhvillim ka sjellë entuziazëm në ambientet e klubit të Tuzit dhe në komunitetin shqiptar në Mal të Zi, pasi pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s është një arritje e rëndësishme historike.

Ndaj Postimin: