Debati për vizat amerikane, Spiropali i përgjigjet opozitës dhe sqaron se lëvizja e shqiptarëve nuk bllokohet

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të pezulluar përkohësisht shqyrtimin e vizave të emigracionit për 75 vende ka nxitur reagime politike në Shqipëri, me opozitën që e ka interpretuar masën si penalizim për vendin. Këtyre akuzave u është përgjigjur ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, duke i quajtur ato të pavërteta.

Spiropali deklaroi se vendimi nuk ka në shënjestër Shqipërinë dhe nuk e përfshin vendin në asnjë listë të zezë. Ajo theksoi se bëhet fjalë për një rishqyrtim të përpunimit të vizave për emigrim, i cili zbatohet për dhjetëra shtete dhe nuk lidhet me marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Ministrja sqaroi se nuk ka asnjë ndalim për udhëtimet e qytetarëve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara për turizëm, studime, biznes, vizita familjare apo aktivitete profesionale. Sipas saj, këto kategori vizash vijojnë të përpunohen normalisht.

Ajo theksoi se masa është pjesë e politikave të administratës amerikane për të parandaluar abuzimet me sistemin e imigracionit dhe për të garantuar që emigrantët të mos krijojnë barrë publike.

Spiropali nënvizoi se Shqipëria vijon të jetë një aleat i besueshëm dhe partner strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe se interpretimet politike që flasin për izolim apo penalizim të vendit nuk kanë asnjë bazë faktike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033