Taulant Balla akuzoi Sali Berishën për shpërndarje të pavërtetash, duke thënë se ligji nuk përmban asnjë term për përkatësi të shumëfishtë gjinore.
Në sallën e Kuvendit ka vijuar tensioni mes mazhorancës dhe opozitës, gjatë debatit për projektligjin e barazisë gjinore. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj deklarimeve të Sali Berishës, i cili më herët ishte shprehur se ligji përfshin konceptin e “përkatësisë së shumëfishtë gjinore”.
Balla e quajti deklaratën e Berishës të pavërtetë dhe me tone të ashpra e akuzoi atë për manipulim të opinionit publik. Ai theksoi se teksti i projektligjit nuk përmban asnjë referencë për diversitet gjinor apo identitete të shumëfishta.
“O namuzqar, ngrije kokën o Sali. Gënjeve për përkatësinë e shumëfishtë. Ti je gënjeshtar sepse nuk e di fare. Nuk ka përkatësi të shumëfishtë gjinore,” u shpreh Balla nga foltorja, duke theksuar se debati duhet të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe jo interpretimeve politike.
Nga ana tjetër, Sali Berisha këmbënguli se ligji bie ndesh me traditën, kulturën dhe besimet fetare të shumicës së shqiptarëve. Ai deklaroi se nisma, sipas tij, i mohon prindërve të drejtën për t’i edukuar fëmijët sipas bindjeve morale dhe fetare.
Berisha pohoi se projektligji është rikthyer në Kuvend si rezultat i presioneve ndërkombëtare. Ai kërkoi që ambasadorët dhe përfaqësuesit e huaj të bëjnë publike referencat ligjore europiane që e justifikojnë këtë nismë.
Ai shtoi se ligje të ngjashme, sipas pretendimeve të tij, janë rrëzuar në disa vende të Bashkimit Europian, duke përmendur si shembull Francën, ku ai tha se Gjykata Kushtetuese ka bllokuar një ligj të ngjashëm në vitin 2016.
Berisha gjithashtu u shpreh se projektligji parashikon gjoba dhe ndëshkime për udhëheqësit fetarë që mbështeten te mësimet e shkrimeve të shenjta, duke e cilësuar këtë si goditje direkte ndaj lirisë së besimit dhe autonomisë së institucioneve fetare.
Në fund të fjalës së tij, ai e cilësoi nismën si produkt të një grupimi të lidhur me fondacione ndërkombëtare, të cilët sipas tij po synojnë të ndryshojnë identitetin shoqëror shqiptar.
Debati për projektligjin pritet të vijojë gjatë seancës, ndërsa jashtë Kuvendit disa grupe qytetare dhe organizata kanë zhvilluar protesta kundër nismës.


