Debati për ligjin e barazisë gjinore në Kuvend

Ministri Toni Gogu thekson se projektligji synon barazi mes burrit dhe gruas në jetën publike, pa ndryshuar Kodin e Familjes apo përcaktimin biologjik të gjinive.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, sqaroi në seancën plenare se projektligji për barazinë gjinore nuk sjell ndryshime në definicionet ligjore të gjinisë në Shqipëri dhe nuk synon të krijojë kategori të reja gjinore, siç ka pretenduar opozita. Sipas tij, ligji fokusohet vetëm në garantimin e mundësive të barabarta mes burrave dhe grave në sferat e jetës publike dhe profesionale.

Në fjalën e tij, Gogu theksoi se projektligji nuk prek Kodin e Familjes, gjendjen civile apo rregullat për martesën. Ai tha se konceptet si “orientim seksual” dhe “identitet gjinor” janë tashmë të përfshira në legjislacion që prej vitit 2010, me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, ndërsa nismat e tanishme synojnë vetëm forcimin e mekanizmave të zbatimit.

“Ky projektligj merret me barazinë burrë-grua në jetën publike, paga të barabarta për punë të barabartë, shanse të barabarta dhe respekt të barabartë. Nuk shpik gjini të reja dhe nuk imponon bindje kundër vullnetit të askujt,” u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se ligji është hartuar në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit dhe strukturat e OKB-së, duke përafruar standardet me dhjetë direktiva të Bashkimit Europian.

Gogu shtoi se qëllimi i qeverisë është të luftojë pabarazitë që vijojnë të prekin gratë, veçanërisht në tregun e punës, në vendimmarrje dhe në aksesin ndaj shërbimeve publike.

“Si bir i kësaj shoqërie, e çmoj familjen burrë-grua. Ky projektligj e ndihmon atë, duke mbështetur dinjitetin dhe barazinë. Kundërshtarët realë të familjes janë dhuna, varfëria, mungesa e shërbimeve dhe emigracioni. Ne nuk po prekim dallimet natyrore, por po heqim barrikadat e paragjykimeve,” përfundoi Gogu.

Debati për projektligjin vijon mes akuzave politike dhe interpretimeve juridike, ndërsa votimi pritet të mbahet në një nga seancat e ardhshme plenare.

Ndaj Postimin: