Në një debat të ndezur televiziv, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe lideri i opozitës, Friedrich Merz, shkëmbyen akuza dhe propozime para zgjedhjeve të rëndësishme që do të zhvillohen këtë të dielë.
Çështjet kryesore të diskutimit ishin migracioni, ekonomia dhe siguria, ndërsa sondazhet parazgjedhore tregojnë një avantazh të bllokut të qendrës së djathtë të Merzit, përballë socialdemokratëve të Scholz dhe të Gjelbërve të Robert Habeck.
Scholz, në një qëndrim të fuqishëm, shprehu besimin se do të arrinte fitore, duke theksuar se votuesit e pavendosur janë të aftë të ndryshojnë mendimin e tyre në kabinën e votimit. Ai beson se shumë prej tyre do të zgjedhin SPD-në dhe do t’i japin atij një mandat të dytë për të udhëhequr. “Disa njerëz do të shkojnë në qendrën e votimit dhe vetëm atëherë do të vendosin,” tha ai, duke u shprehur optimist për shanset e tij.
Nga ana tjetër, Merz ishte më i prerë, duke thënë se asnjë “mrekulli” nuk do të mund të parandalonte humbjen e Scholz. “Detyra juaj si kancelar duhet të përfundojë të dielën,” deklaroi Merz, duke sugjeruar që për Scholz nuk ka më mundësi për rikthim. Lideri i CDU-së e ka bërë frenimin e migracionit të parregullt një pikë kyçe të fushatës së tij, duke kërkuar një politikë më të ashpër për të parandaluar më shumë ngjarje të dhunshme të lidhura me migrantët.
Kryetari i SPD-së, Scholz, i kundërshtoi akuzat e Merzit, duke theksuar se ai nuk është i lidhur me AfD dhe se qeveria aktuale ka marrë masa për të adresuar çështjet e sigurisë. Sipas Scholz, policia duhet të ketë më shumë liri për të vepruar në situata të tilla. Për Merzin, një politikë e tillë është e papranueshme dhe ai kërkon që të hiqet statusi i toleruar për shumë azilkërkues dhe të mundësohet deportimi i individëve të rrezikshëm që janë ende të pranishëm në Gjermani.
Ndërkohë, ekonomia mbetet një tjetër temë kyçe e debatit. Scholz premtuar investime të mëdha në infrastrukturë dhe një bonus për të nxitur investimet “Made in Germany”. Merz, nga ana tjetër, kërkon uljen e çmimeve të energjisë përmes tarifave më të ulëta dhe taksave më të ulëta për energjinë. Të dy udhëheqësit ranë dakord për qëndrimin e përbashkët se tatimi mbi vlerën e shtuar nuk duhet të rritet, megjithatë Scholz e akuzoi Merzin për ndjekjen e një politike tatimore që favorizon të pasurit.
Ky debat i fundit para zgjedhjeve ka përshkallëzuar tensionet mes dy kandidatëve dhe ka shfaqur ndarjen e thellë ideologjike mes partive. Nëse Scholz do të arrijë të mbrojë pozitat e tij ose Merz do të shpallet fitues këtë të dielë, do të mbetet për t’u parë, por të dyja palët janë të qarta se çështjet e sigurisë dhe ekonomisë janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Gjermanisë.