Debat në Berlin për mbrojtjen e të miturve, kërkohet ndalim i mediave sociale për fëmijët

Telefonat celularë mbeten dhurata më e zakonshme për fëmijët gjatë fundvitit, por në Gjermani po forcohet shqetësimi institucional për ndikimin e mediave sociale te të rinjtë. Ministri federal i Çështjeve Digjitale, Karsten Wildberger, ka deklaruar se mbështet idenë e vendosjes së kufijve të moshës, deri edhe ndalimin e mediave sociale për fëmijët, duke marrë si referencë modelin australian.

Sipas Wildberger, ndikimi i mediave sociale në zhvillimin e fëmijëve është i dokumentuar nga studime dhe analiza të shumta. Ai ngriti pyetjen se si mund të krijohen kushte që fëmijët të rriten në mënyrë të shëndetshme, pa u ekspozuar herët ndaj efekteve negative të botës digjitale, duke theksuar se përcaktimi i moshës së lejuar kërkon debat të thelluar dhe vlerësim profesional.

Për këtë qëllim, qeveria gjermane ka ngritur një komision të posaçëm për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në mjedisin digjital. Ky komision, ku përfshihen ekspertë nga fusha e mjekësisë, shkencës, punës sociale dhe kujdesit për të rinjtë, ka nisur punën në vjeshtë dhe pritet të paraqesë propozimet e tij deri në verë.

Ndër temat kryesore që do të shqyrtohen janë vendosja e kufizimeve të moshës për përdorimin e mediave sociale dhe ndalimi i telefonave celularë në shkolla. Ministri u shpreh se përqendrimi gjatë mësimit është parakusht për zhvillimin e fëmijëve dhe se kjo mundësi duhet t’u garantohet atyre.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kohës së lirë për fëmijët dhe rolin e mësuesve në këto diskutime, si profesionistët që përballen çdo ditë me pasojat e shpërqendrimit digjital në procesin mësimor.

Wildberger mban postin e ministrit të parë federal të Gjermanisë për Çështjet Digjitale dhe është përgjegjës për modernizimin e administratës shtetërore dhe uljen e burokracisë. Ai është pjesë e kabinetit të kancelarit Friedrich Merz. Në Australi, ndërkohë, që nga 10 dhjetori, fëmijëve dhe adoleshentëve nën 16 vjeç u është ndaluar hapja e llogarive personale në disa platforma kryesore të mediave sociale, si masë për mbrojtjen e tyre nga ngacmimet kibernetike, përdorimi problematik dhe përmbajtjet e dëmshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033