Rama kërcënon kryebashkiakun e Konispolit me dorëheqje pasi ky refuzoi të shkarkojë drejtorët që i konsideron të aftë dhe punëtorë
Një përplasje e pazakontë ka ndodhur gjatë një takimi me dyer të mbyllura mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakëve të vendit. Skena më e fortë është regjistruar me kryetarin e Bashkisë Konispol, Ergest Dule, i cili ka refuzuar prerazi të zbatojë kërkesën e Ramës për shkarkimin masiv të drejtorëve lokalë.
Rama ka insistuar që të gjithë drejtorët e institucioneve vartëse të japin dorëheqjen, në kuadër të një aksioni të ri për “spastrimin” e administratës nga, siç e cilësoi ai, paaftësia dhe nepotizmi. Ky propozim është pritur pa shumë kundërshti nga pjesa më e madhe e kryetarëve të bashkive.
Por, në mënyrë të papritur, Ergest Dule ka ngritur zërin kundër urdhrit. “Unë nuk i largoj drejtorët. I kam të rinj, të aftë dhe po bëjnë shumë punë të mirë,” u shpreh ai me vendosmëri, duke sfiduar qartë autoritetin e kryeministrit.
Kjo deklaratë ka shkaktuar reagimin e ashpër të Ramës, i cili ka shpërthyer menjëherë: “Nëse nuk i shkarkon, atëherë jepe ti dorëheqjen!” Kjo ndërhyrje e prerë solli një moment të ftohtë heshtjeje në sallë, që simbolizoi nënshtrimin total të shumë prej të pranishmëve.
Ngjarja e thekson hendekun mes kryeministrit dhe disa prej përfaqësuesve lokalë që refuzojnë të kthehen në zbatues të verbër të urdhrave politikë. Ajo tregon gjithashtu edhe tendencën për centralizimin e pushtetit dhe përpjekjet për të eliminuar çdo zë kundërshtues në nivelet vendore.
Kundërshtimi i Dules ngre një pyetje të madhe mbi kufijtë e autonomisë vendore dhe sinjalizon një pakënaqësi që ndoshta është më e gjerë se sa ky rast i vetëm. Por në fund, është qeveria që kërkon drejtues të bindur, jo të pavarur – një realitet ku zëri i kundërt trajtohet si kërcënim.