Darëzeza dhe Semani përballen me ndotje masive, 18 kilometra bregdet të mbuluar nga mbetjet

Rreth 18 kilometra vijë bregdetare në qarkun e Fierit është përfshirë nga ndotje e rëndë pas përmbytjeve të fundit të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve Seman dhe Vjosë.

Në zonat bregdetare të Darëzezës dhe Semanit janë depozituar tonelata mbetjesh urbane, kryesisht plastikë dhe materiale drusore. Mbetjet që lumenjtë kanë derdhur në detin Adriatik janë rikthyer në breg nga dallgët, duke krijuar një ndotje masive dhe një situatë alarmante për mjedisin.

Ndërhyrja për pastrimin e zonës ka nisur rreth 10 ditë pas përmbytjeve. Gjatë kësaj kohe, mbetjet kanë qëndruar si në breg ashtu edhe në ujërat detare, duke rritur rrezikun për ekosistemin dhe faunën detare.

Sipas autoriteteve lokale, ky është aksioni i dytë i pastrimit brenda një muaji. Fillimisht po kryhet mbledhja manuale e mbetjeve plastike, ndërsa në fazën e dytë do të përdoren mjete të rënda për pastrimin e plotë të zonës. Aksioni pritet të zgjasë rreth dy javë.

Situata ka rikthyer vëmendjen te nevoja për masa parandaluese dhe reagim më të shpejtë institucional ndaj ndotjeve të përsëritura në zonat bregdetare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033