Daniel Noboa drejt një mandati të ri presidencial në Ekuador

Presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, pritet të konfirmohet sërish në krye të shtetit pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës.

Votuesit duket se janë rreshtuar pas tij, të bindur nga premtimet për forcimin e sigurisë, pavarësisht kritikave nga rivalët e tij politikë.

Noboa, i cili mori detyrën në vitin 2023 për të përfunduar mandatin e paraardhësit të tij, ka mbrojtur masat e tij kundër krimit, duke theksuar se vendosja e ushtrisë në rrugë dhe në burgje ka sjellë rezultate konkrete. Sipas tij, vdekjet e dhunshme janë ulur me 15%, ndërsa situata në burgje është stabilizuar ndjeshëm, duke çuar në arrestimin e disa liderëve të bandave më të mëdha në vend.

Megjithatë, kundërshtarët e tij argumentojnë se krimi i lidhur me tregtinë e drogës mbetet një problem serioz dhe se duhen masa më të forta për ta luftuar atë. Disa nga propozimet e tyre përfshijnë reforma ligjore dhe ndryshime kushtetuese, të cilat mund të hasin në pengesa të mëdha burokratike dhe politike.

Noboa ka deklaruar se strategjitë për forcimin e sigurisë në kufij dhe porte tashmë janë duke u zbatuar. “Ekuadori ka ndryshuar dhe dëshiron të vazhdojë të ndryshojë. Nuk jemi më një premtim, por një realitet,” tha ai në tubimin e fundit të fushatës në Quito.

Sipas dy sondazheve të mëdha, Noboa mund të fitojë mbi 50% të votave, ose të paktën 40%, duke siguruar një avantazh të ndjeshëm ndaj rivalit të tij më të afërt. Të dhëna të tjera sugjerojnë se gara mund të shkojë në një balotazh në prill, ku ai pritet të përballet sërish me kandidaten e së majtës, Luisa Gonzalez.

Të dy kandidatët kanë kërkuar nga mbështetësit e tyre të monitorojnë nga afër procesin e numërimit të votave, për të shmangur çdo mundësi mashtrimi.

Nga ana e saj, Gonzalez ka premtuar një luftë më agresive kundër krimit, përfshirë operacione të mëdha ushtarake dhe policore, ndjekjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për korrupsion, si dhe investime në programet sociale për zonat më të prekura nga dhuna.

Ekuadori po përballet me një moment vendimtar, ndërsa qytetarët votojnë për drejtimin që vendi do të marrë në muajt dhe vitet e ardhshme.

Ndaj Postimin: