Dalin detaje të reja nga ekzekutimi në Shkodër, trupat u gjendën larg makinës.

Dy viktimat e ngjarjes tragjike në Dobraç të Shkodrës, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, sipas burimeve policore, nuk ishin të vetmit në makinën “Benz” me targa kroate gjatë sulmit.

Dyshohet se një person i tretë ishte bashkë me ta dhe arriti të largohej menjëherë pas sulmit. Kjo e dhënë e re është aktualisht në proces verifikimi për të identifikuar personin që mund të ketë qenë i pranishëm në vendngjarje.

Raportohet se makina “Benz”, ku ndodheshin viktimat, u gjet larg trupave të tyre në rrugë, duke sugjeruar se dikush mund të ketë ndihmuar në nxjerrjen e tyre nga mjeti. Hetuesit janë duke e shqyrtuar këtë pistë, dhe deri tani dyshohet se motivi kryesor i këtij atentati është hakmarrja mes grupeve të njohura në Shkodër, duke përfshirë anëtarët e familjes Lici dhe kundërshtarë të tjerë.

Në kuadër të hetimeve, disa persona janë shoqëruar për të dhënë dëshmi në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Megjithatë, policia ende nuk ka arritur të mbledhë prova të vlefshme për të zbardhur plotësisht ngjarjen që ka tronditur qytetin dhe opinionin publik. Disa prej të shoqëruarve janë liruar pasi kanë dhënë deklaratat e tyre.

Bilanci i atentatit tragjik përfshin humbjen e jetëve të Hamza Licit, 23-vjeç, dhe Arlind Bushatit, 32-vjeç, si dhe një kalimtareje të pafajshme, Flutura Basha, e cila ishte duke lëvizur me motor së bashku me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, i cili mbetet në gjendje të rëndë. Kjo masakër lë pas tri viktima dhe një të plagosur rëndë.

Ngjarja ka filluar kur një makinë e tipit “Range Rover” qëlloi në lëvizje drejt Licit dhe Bushatit, të cilët udhëtonin nga Shkodra në drejtim të Koplikut. Pas ngjarjes, një makinë tjetër e djegur, e llojit “Land Rover”, u gjet në fshatin Grudë e re, brenda së cilës u zbuluan dy armë automatike, të cilat dyshohet se janë përdorur në sulm.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po bashkëpunon me Prokurorinë për të identifikuar autorët dhe për të mbledhur prova të reja.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera