Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë publike datat zyrtare të provimeve të Maturës Shtetërore 2026 për nxënësit e arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional.
Sipas kalendarit të miratuar, provimi i Gjuhës së Huaj do të zhvillohet më 2 qershor, ndërsa ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë është caktuar për datën 9 qershor. Provimi i Matematikës do të mbahet më 16 qershor, ndërsa provimi me zgjedhje do të zhvillohet më 23 qershor.
Në provimin e lëndës me zgjedhje, maturantët mund të përzgjedhin mes kimisë, fizikës, biologjisë, historisë, gjeografisë, qytetarisë, psikologjisë, filozofisë, sociologjisë, ekonomisë, historisë së artit, historisë së muzikës dhe historisë së baletit.
Ministria ka njoftuar gjithashtu se janë publikuar dhe shpërndarë testet model për të orientuar maturantët gjatë përgatitjes. Rregullorja e Maturës Shtetërore 2026 parashikon penalizime për çdo shkelje të rregullave gjatë zhvillimit të provimeve.