DALIN BISEDAT / Belind Këlliçi me vartësin e Belinda Ballukut koordinojnë protestat kundër Ramës e Veliajt për Teatrin! Deputeti i PD: “Unë gati, kur të doni”

Belind Këlliçi komunikonte me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtuar nga Belinda Balluku, teksa dyshohet se koordinonte protestat antiqeveritare për prishjen e Teatrit Kombëtar. Report TV ka zbuluar ekskluzivisht mesazhe mes Këlliçit dhe Arbër Avramit, për 6 vite administrator i “Albgaz”, të shkëmbyera në maj të vitit 2020, ku vartësi i Ballukut i kërkonte deputetit të PD-së sjelljen e protestuesve.

Këlliçi, Arbër Avrami, Balluku dhe mesazhet e majit 2020

Ishte maji i vitit 2020 dhe kryetari i atëhershëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ishte një prej më aktivëve në protestat që bëheshin për Teatrin Kombëtar. Më 17 maj godinat e Teatrit u shembën për t’i hapur rrugë ndërtimit të teatrit të ri, ndërsa protestat kundër Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj vijuan edhe disa ditë.

Belind Këlliçi më 17 maj u shoqërua për në komisariat, duke pretenduar se ishte dhunuar nga policia. Pesë vite e gjysmë më vonë, Report TV ka zbuluar dokumente që mund të hedhin dritë mbi “pasionin” e tij në protestat kundër Ramës dhe Veliajt.

Këto komunikime datojnë 19 maj dhe 21 maj 2020. Janë siguruar nga screenshot të zbuluara në telefonat e drejtorëve nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të sekuestruar në kuadër të hetimeve ndaj ministres Belinda Balluku dhe vartësve të saj.

Mesazhet mes Këlliçit dhe Arbër Avramit – Maj 2020

Komunikimet zhvillohen mes Belind Këlliçit dhe Arbër Avramit. Në atë kohë Avrami ishte vartës i Ballukut, prej vitesh drejtues i kompanisë shtetërore të gazit “Albgaz”, i emëruar disa herë nga ministrja.

Më 19 maj 2020, Këlliçi i shkruan Avramit:

“Bëhem dhe unë të enjten. Si të doni.”

Avrami i përgjigjet:

“Mund të marrësh dhe ca protestues të enjten dhe të na bashkoheni.”

Komunikimi vijon më 21 maj 2020, ku Avrami i shkruan:

“Atëherë nesër, nëse janë dakord të tjerët, të bëhen mbylljet totale.”

Përgjigjja e Këlliçit:

“Unë si të doni, sot e nesër.”

Një ditë më pas, më 22 maj 2020, u organizua protesta e radhës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, nën organizimin e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, e cila vijoi të organizonte protestat e mëvonshme para Bashkisë së Tiranës me Këlliçin në krye.

Reagimet dhe lidhjet politike

Një muaj më parë, Sali Berisha deklaroi publikisht se Belind Këlliçi ishte ndihmuar nga zv.kryeministrja Balluku në protestat kundër Erion Veliajt para Bashkisë.

Një detaj i rëndësishëm: Arbër Avrami kishte për një periudhë të gjatë kohë këshilltar të posaçëm vëllain e deputetit, Reshard Këlliçin, me një pagë 1.9 milionë lekë të rinj. Ky raport pune shihet si një element që forcon marrëdhënien mes palëve.

Akuzat se protestat e Këlliçit janë financuar ose ndikuar nga Belinda Balluku janë artikuluar edhe më herët, përfshirë ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Por është hera e parë që dalin fakte të drejtpërdrejta që lidhin stafin e ministres Balluku me protestat e Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë që opozita e asaj kohe e shënjestroi vetëm Erion Veliajn, mesazhet e reja tregojnë se në prapaskenë përfshihej një bashkëveprim mes zyrtarëve të një ministrie qeveritare dhe drejtuesve të FRPD-së, në një moment kur Balluku ishte sapo emëruar ministre dhe vetëm dy vite më vonë u bë zv.kryeministre.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033