Sulmuesi shqiptar Mirlind Daku është pranë një transferimi të rëndësishëm në kampionatin rus, me interesim serioz nga Zenit dhe një ofertë që pritet të konkretizohet shumë shpejt.
Mirlind Daku ka lënë një gjurmë të fortë në futbollin rus gjatë sezonit të fundit me Rubin Kazan. Në 26 ndeshje, ai ka realizuar 15 gola dhe ka asistuar 6 herë, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të ekipit. Kjo performancë ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të tjera, ku në qendër të vëmendjes është Zenit.
Sipas raportimeve të “Blic Sport” në Kosovë, ekziston një mundësi shumë e madhe që Daku të qëndrojë në Rusi, por të veshë një fanellë tjetër në sezonin e ardhshëm. Burime të afërta me klubin kanë bërë të ditur se Zenit ka paraqitur një ofertë prej 4.5 milionë eurosh, e cila është shumë pranë pranimit nga drejtuesit e Rubin Kazan.
Një transferim te Zenit konsiderohet si një hap i madh në karrierën e Daku, pasi skuadra është një nga më të fortat në Rusi dhe konkurrenca për një vend titullari është mjaft e lartë. Megjithatë, sulmuesi shqiptar shihet si një alternativë e vlefshme për të forcuar repartin ofensiv të klubit nga Shën Petërsburgu.
Përveç suksesit në nivel klubi, Daku ka qenë protagonist edhe me kombëtaren shqiptare, ku së fundmi është angazhuar në ndeshjet kundër Serbisë dhe Letonisë, duke rritur më tej vlerësimin për aftësitë e tij.
Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me të ardhmen e sulmuesit, ndërsa transferimi i tij te Zenit mund të zyrtarizohet së shpejti, nëse palët bien dakord për detajet finale të marrëveshjes.