Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka komentuar barazimin pa gola ndaj Teutës, duke e vlerësuar rezultatin si të pranueshëm për ekipin e tij, duke marrë parasysh zhvillimin e lojës.
“Po ta shohim në tërësi, jemi të kënaqur me pikën e marrë për atë që prodhuam në fushë. Teuta ishte më kërkuese, krijoi më shumë raste dhe na vuri në vështirësi. Nuk ishim në formën tonë më të mirë, ndoshta edhe për shkak të mungesave që kemi pasur,” u shpreh Daja pas ndeshjes.
Ai pranoi se Dinamo nuk pati funksionim të mirë në lojën e saj, veçanërisht në ndërtimin e aksioneve. “Pa pasime cilësore në fazën ndërtuese, nuk mund të flasësh për taktikë. Futbolli është i bazuar te pasimi, por sot nuk arritëm ta zbatojmë këtë parim. Kundërshtari na e bëri të vështirë zhvillimin e lojës sonë, dhe linja e parë e ndërtimit nuk funksionoi siç duhej,” theksoi trajneri.
Daja pranoi se ekipi kishte probleme edhe në aspektin fizik dhe për shkak të mungesave të rëndësishme. “Kur të mungojnë 6-7 lojtarë të formacionit, është e vështirë të ruash intensitetin maksimal. Bregu mungoi sot, dhe dëmtimet apo virozat kanë ndikuar ndjeshëm te ekipi ynë,” tha ai.
Megjithatë, tekniku i Dinamos shprehu optimizëm për javët në vijim, duke besuar se kthimi i disa lojtarëve do të ndihmojë skuadrën të rikuperojë ritmin. “Nga java tjetër presim rikthimin e dy lojtarëve. Me rikuperimin e plotë të skuadrës, do të kthehemi të jemi më agresivë dhe të luajmë me intensitet më të lartë,” përfundoi Daja.
Ky barazim e lë Dinamon me një pikë të vlefshme, por me detyrën për të përmirësuar lojën në ndeshjet e ardhshme. Teuta, nga ana tjetër, tregoi një paraqitje të fortë dhe mbeti më kërkuese gjatë gjithë ndeshjes.