Clinton kujton arsyet e ndërhyrjes në Kosovë

Bill Clinton rikujton vendimin për ndërhyrjen në Kosovë dhe thekson rëndësinë e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve në një realitet të përbashkët

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka ndarë një kujtim personal dhe politik rreth ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë gjatë një aktiviteti të Clinton Global Initiative, ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Clinton solli si shembull një restorant që viziton shpesh, ku pronari është shqiptar nga Kosova, ndërsa menaxheri i lokalit është serb. Ai theksoi se ky është një shembull i gjallë se si bashkëjetesa mes komuniteteve është e mundur.

“Ne kemi një vend që shet takos. Pronari është një shqiptar nga Kosova dhe menaxheri që më shërben një birrë është serb. Kjo është mrekulli,” tha ai, duke e përdorur historinë për të treguar për mundësitë e pajtimit.

Clinton u ndal edhe te vendimi i vitit 1999 për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Ai pranoi se shumëkush e konsideronte një hap të rrezikshëm, por ai besonte se ishte i vetmi opsion për të shpëtuar jetë dhe për të shmangur një luftë të gjatë tokësore.

Sipas tij, fitorja e asaj beteje ishte një rast i paprecedentë në historinë moderne, pasi u arrit kryesisht përmes fuqisë ajrore. Ai theksoi se kjo strategji shmangu një konflikt më të përgjakshëm dhe solli rezultate të prekshme për popullin e Kosovës.

“Ky do të mbetet vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë fitohet me fuqi ajrore dhe shpëtohen jetë pa nisur një pushtim tokësor,” u shpreh Clinton.

Fjalët e tij u pritën me interes, sidomos në një moment kur temat e bashkëjetesës dhe paqes në Ballkanin Perëndimor mbeten ende thelbësore për të ardhmen e rajonit.

Ndaj Postimin: