Sheshi qendror i Lushnjës u mbush me duartrokitje, ndërsa cirku kombëtar solli magjinë e artit skenik dhe lojërave akrobatike për fëmijë e të rritur
Mbrëmja e datës 3 korrik solli atmosferë festive në qytetin e Lushnjës, ku Cirku Kombëtar performoi për qindra qytetarë në sheshin qendror. Aktiviteti nisi mes duartrokitjeve dhe entuziazmit të madh, duke mbledhur familje të tëra që zgjodhën të ndjekin spektaklin në natyrë të hapur.
Të pranishmit përjetuan emocione të veçanta falë numrave akrobatikë të performuar me profesionalizëm nga artistët e trupës. Lëvizjet e sinkronizuara dhe aftësitë e tyre të jashtëzakonshme rrëmbyen vëmendjen e publikut gjatë gjithë shfaqjes.
Pjesë e veçantë e programit ishte edhe performanca e iluzionistit Julian Kazazi, i cili me numrat e tij të shpejtësisë dhe mjeshtërinë e lojërave magjike arriti të krijojë një atmosferë të magjishme për fëmijë dhe të rritur.
Në një intervistë për TV Apollon, dhënë gazetarit Ndriçim Gjoshi, Kazazi u shpreh i emocionuar për pritjen e ngrohtë të qytetarëve të Lushnjës. Ai vlerësoi organizimin dhe energjinë pozitive që përcolli publiku gjatë gjithë natës.
“Është kënaqësi të performosh në qytete si Lushnja, ku publiku të mbështet me gjithë zemër. Mbrëmje të tilla na japin forcë të vazhdojmë traditën e cirkut shqiptar,” – tha Kazazi.
Ky aktivitet i Cirku Kombëtar është pjesë e turit artistik që synon të sjellë më afër qytetarëve të vegjël dhe të rritur artin skenik dhe performancat e gjalla, duke i dhënë jetë shesheve publike me spektakle kulturore.
Në përfundim të mbrëmjes, të gjithë të pranishmit u larguan me buzëqeshje dhe përjetime pozitive, duke shprehur dëshirën që aktivitete të tilla të bëhen më të shpeshta në qytet.