Deklarime kontradiktore për studimet, punësim paralel me kohë të plotë, dy diploma të pabesueshme dhe lidhje direkte me trupën që e kaloi në vetting. Dosja Mustafaj ngre dyshime serioze për falsifikim, konflikt interesi dhe favorizim, që kërkojnë hetim urgjent nga SPAK dhe institucionet e drejtësisë.
Faktet dhe indiciet që kemi publikuar lidhur me figurën e njollosur, arsimimin e dyshimtë universitar dhe favorizimin në procesin e vettingut të Drejtuesit të Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, duhet të bëhen objekt verifikimi dhe hetimi administrativ nga institucionet eprore.
Por duhen hetuar edhe nga SPAK, sepse faktet shkresore në vetëdeklarimin e prokurorit Elion Mustafaj dhe në vendimin e vettingut krijojnë dyshime të arsyeshme që ndalojnë vazhdimin e qëndrimit të tij në detyrë dhe kërkojnë përballjen me drejtësinë, si disa kolegë të tij për të njëjtat fakte.
Cikli 4-vjeçar dhe Masteri, paralelisht kur daja i tij ishte drejtues në Fakultetin Juridik
SPAK duhet të hetojë dokumentet që vërtetojnë se Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, ka deklarime kontradiktore për periudhën e arsimimit dhe punësimet.
Më 1 maj 2004, në moshën 24-vjeçare, ai ka filluar punë si kancelar me kohë të plotë në Prokurorinë e Durrësit; ndërkohë që në të njëjtën periudhë deklaron se në vitet 2003–2007 ka kryer studimet me kohë të plotë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Për të njëjtën periudhë, Elion Mustafaj deklaron se ka kryer edhe “Master Shkencor” pranë këtij fakulteti, megjithëse paralelisht ishte student në ciklin e parë 4-vjeçar për jurist.
Punësimi si kancelar në Prokurorinë e Durrësit, kryerja e studimeve dhe diplomimi si jurist me ciklin e plotë 4-vjeçar “me shkëputje nga puna”, si dhe Masteri shkencor, në të njëjtën periudhë kohore 2003–2008, përputhet me vitet kur daja i tij, Prof. Dr. Skënder Kaçupi, ka qenë profesor, shef departamenti, zv/dekan dhe dekan i Fakultetit Juridik.
SPAK duhet të hetojë mospërputhjen kohore dhe faktin që një person i punësuar me kohë të plotë si kancelar në prokurori nuk mund të jetë student me kohë të plotë dhe njëkohësisht të ketë kryer studimet pasuniversitare “Master” në të njëjtat vite me ciklin e parë.
Dosja e studimeve universitare, numrat e amzave dhe dy diplomimet e prokurorit Elion Elmas Mustafaj janë në sekretarinë e Fakultetit Juridik.
Aty mund të verifikohet se si dhe kush e ka pranuar student me kohë të plotë kur ai punonte me kohë të plotë si kancelar në Prokurorinë e Durrësit; dhe kush e ka pranuar të studiojë në ciklin e dytë “Master”, paralelisht me studimet në ciklin e parë 4-vjeçar.
Lidhjet e dajës ndikuan për të kaluar vettingun, megjithëse ka shumë “njolla”
Hetim i duhet bërë edhe dosjes së vettingut të kryeprokurorit të Fierit, Elion Mustafaj, sepse anëtarët e trupës rivlerësuese, Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici dhe Firdes Shuli, që e kaluan në vetting prokurorin Elion Mustafaj, janë ish-studentë të dajës së tij, Prof. Dr. Skënder Kaçupi, por edhe të përzgjedhur e certifikuar prej tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Pa ndikimin e dajës, prokurori Mustafaj nuk mund ta kalonte vettingun, kur ka shumë njolla:
- Bashkëshortja e tij është e punësuar në kompaninë e një personi të dënuar për grabitje në Angli dhe ka përfituar financiarisht prej tij.
- Ka lidhje të drejtpërdrejta me biznesmenë, trafikantë dhe avokatë të përfshirë në dosjet e SPAK.
- Ka mospërputhje mes pasurive dhe shpenzimeve krahasuar me të ardhurat personale e familjare.
- Ka 7 kallëzime penale dhe 60 denoncime gjatë ushtrimit të detyrës si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror në Vlorë, Korçë e Lushnjë, për favorizim subjektesh korrupsioni e krimesh, duke mos i proceduar penalisht, duke hequr prova dhe duke pushuar çështje.


