ChatGPT hap epokën e integrimeve të reja me aplikacione të njohura

OpenAI ka prezantuar një seri integrimesh të reja që lidhin ChatGPT me aplikacione si Spotify, Canva, Figma dhe Booking.com, duke e kthyer asistentin në një mjet praktik për çdo përdorim të përditshëm.

OpenAI ka hapur një kapitull të ri në përdorimin e inteligjencës artificiale, duke mundësuar lidhjen direkte të ChatGPT me aplikacione të njohura. Tani përdoruesit mund të ndërveprojnë me llogaritë e tyre në mënyrë të menjëhershme dhe t’i kërkojnë ChatGPT të kryejë veprime konkrete për ta.

Për të nisur përdorimin, mjafton të jeni të identifikuar në ChatGPT dhe të shkruani emrin e aplikacionit në fillim të kërkesës suaj. Më pas, ChatGPT udhëzon hap pas hapi procesin e lidhjes me llogarinë përkatëse.

Ata që duan t’i aktivizojnë të gjitha aplikacionet njëherësh, mund të hyjnë te Settings → Apps and Connectors. Aty mund të zgjidhen aplikacionet e preferuara dhe të bëhet lidhja me to përmes një faqeje të veçantë hyrjeje.

Megjithatë, përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm me të dhënat që ndajnë. Sipas gazetares Lauren Forristal, Lidhja e një aplikacioni do të thotë që ChatGPT merr qasje mbi disa të dhëna personale. Për shembull, në rastin e Spotify, ChatGPT mund të shohë listat e dëgjimit, historikun e këngëve dhe preferencat muzikore.

Në çdo moment, përdoruesi mund të shkëpusë integrimin përmes menusë së cilësimeve, pa humbur të dhëna apo funksione.

Booking.com është ndër integrimet më të dobishme për udhëtarët. Pasi lidhet llogaria, përdoruesi mund t’i kërkojë ChatGPT të gjejë hotele në qytetin e dëshiruar, të filtrojë sipas buxhetit, datës ose afërsisë me transportin publik. Madje mund të specifikohet edhe kërkesa “me mëngjes të përfshirë”.

Canva sjell lehtësi për krijuesit vizualë. Pasi lidhet llogaria, ChatGPT mund të krijojë skica për postera, prezantime ose postime në rrjetet sociale sipas udhëzimeve për ngjyra, fonte dhe përmasa. Edhe pse dizajnet e gjeneruara nuk janë gjithmonë të përsosura, ato ofrojnë një pikënisje të shpejtë për projektet krijuese.

Coursera lehtëson gjetjen e kurseve të përshtatura për çdo nivel. Përdoruesi mund të kërkojë, për shembull, “kurs ndërmjetës për Python” dhe të marrë krahasime sipas vlerësimeve, kohëzgjatjes dhe çmimit, përpara se të regjistrohet.

Expedia sjell mundësinë për të parë fluturime dhe hotele direkt në chat. Përdoruesi mund të kërkojë udhëtime sipas buxhetit dhe datave, dhe pastaj të finalizojë prenotimin në faqen zyrtare të platformës.

Figma i shërben dizajnerëve që duan të krijojnë diagrame, rrjedha pune apo ide vizuale. Me vetëm disa udhëzime tekstuale, ChatGPT mund të ndërtojë një “roadmap” produkti me afate, objektiva dhe detyra për ekipin.

Spotify, ndoshta integrimi më i kërkuar, mundëson krijimin automatik të “playlist”-eve sipas humorit, gjinisë muzikore apo artistëve të preferuar. ChatGPT mund të rekomandojë këngë, podkaste apo të shtojë materiale në bibliotekën tuaj.

Zillow, për kërkimin e shtëpive, ofron mundësinë për të gjetur prona sipas buxhetit, numrit të dhomave apo zonës. ChatGPT shndërrohet kështu në një agjent të shpejtë imobiliar virtual.

Në vijim, OpenAI ka paralajmëruar integrime të reja me DoorDash, OpenTable, Target, Uber dhe Walmart, të cilat do të lansohen më vonë gjatë vitit.

Për momentin, integrimet janë të disponueshme vetëm në SHBA dhe Kanada, ndërsa përdoruesit në Europë dhe Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të presin fazën e ardhshme të zgjerimit.

Ndaj Postimin: