Cfare ndodhi sot ne Keshill?

Ilia Fili “luan” lojën e socialistëve. Kompanisë fotovoltaike i hapet rruga që tokën e bukës ta shndërrojë në tokë djerrë. Pas dekadash, Qendra Tregtare ETC do t’ia dorëzojë Pallatin e Lojërave me dorë Bashkisë. Pretendimi i pronarëve nga Kosova është se kanë investuar rreth 780 milionë lekë të vjetra në këtë pallat, në këmbim të tokës që iu dha “falas” nga Baftjar Zeqo. Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të bëjë trotuaret nga Parku (Kisha Katolike) deri te Kisha Ortodokse. Do të ketë shpronësime, por sipas Bashkisë pronarët janë konsultuar dhe kanë rënë dakord. Studio ligjore e jashtme do të mbrojë Bashkinë në Gjykatën Administrative për mosfaturim në Parkingun Nëntokësor. Për këtë rast, dy punonjës të lartë të administratës janë në ndjekje penale, por këshilltarët nuk e panë të udhës të pyesnin më shumë.

Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak u shoqërua me debate të forta politike, ndërprerje të shpeshta dhe vendime të rëndësishme, të miratuara kryesisht me forcën e numrave. Në qendër të diskutimeve ishin përfaqësimi politik në Kryesinë e Këshillit, kërkesa e kompanisë “Eco Voltage”, si dhe disa projekte me ndikim urban dhe financiar për qytetin.

Ilia Fili, përfaqësues i Partisë Demokratike, kërkoi rideklarimin e përkatësive partiake, duke argumentuar se përfaqësimi aktual në Kryesinë e Këshillit nuk është i drejtë. Në këtë pikë, ai u rreshtua në të njëjtin propozim me kryetaren e grupit socialist, Evis Sema, e cila kërkoi përjashtimin nga Kryesia të Endri Jaupajt, përfaqësues i Demokratëve Euroatlantikë dhe një nga këshilltarët më aktivë opozitarë. Kjo kërkesë shtoi tensionet politike dhe përforcoi idenë se socialistët dhe demokratët “bëhen bashkë” kur u intereson.

Një tjetër çështje që ngjalli debat ishte kërkesa e kompanisë “Eco Voltage” për ndryshimin e bonitetit të tokave që ka në pronësi dhe me qira, nga tokë buke në tokë djerrë. Ekziston dyshimi se kjo kërkesë lidhet me synimin për zgjerimin e aktivitetit në toka bujqësore, gjë që ligji nuk e lejon, ndaj përmes kësaj lëvizjeje kërkohet ulja e cilësisë së tokës. Kërkesa u kundërshtua nga grupi i këshilltarëve të PSD-së, të cilët evidentuan mungesa serioze dokumentacioni, por pavarësisht kësaj u miratua me shumicë votash nga këshilltarët socialistë.

Me rëndësi ishte edhe miratimi i nisjes së negociatave mes Bashkisë dhe ETC-së për marrjen në inventar të Bashkisë të Pallatit të Sportit. Ndërkohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të nisë projektin e trotuareve nga rrethrrotullimi i Kishës Katolike, përmes parkut, deri në qendër të qytetit, projekt që u miratua me votë unanime, pa shumë pyetje nga këshilltarët.

Interesante ishte edhe kërkesa e Drejtorisë Juridike për punësimin e një studioje ligjore të jashtme, për të mbrojtur Bashkinë në Gjykatën Administrative për çështjen e mosfaturimit sipas ligjit në Parkingun Nëntokësor. Edhe pse për këtë çështje janë në ndjekje penale ish-nënkryetarja e Bashkisë dhe ish-shefi i kabinetit, këshilltarët, si të majtë ashtu edhe të djathtë, nuk kërkuan sqarime të mëtejshme dhe e miratuan kërkesën.

Gjatë mbledhjes pati debate dhe ndërprerje të shpeshta fjalësh, kryesisht nga Evis Sema, kur flisnin Kreshnik Dapi (PSD) dhe Endri Jaupaj (i djathtë). Kreshnik Dapi i tërhoqi vëmendjen zonjës Sema që të ketë kujdes në mënyrën e komunikimit, duke theksuar se mbledhja e Këshillit nuk është një ambient shkolle. Sema reagoi duke e cilësuar këtë si një montim politik nga persona dashakeq në Këshill, duke sqaruar se punon si mësuese vetëm katër orë në javë, në përputhje me ligjin për dypunësim.

Projektvendime të tjera u miratuan për investime në argjinatura dhe për dhënien e bursave për nxënës shkollash.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033