9 nga 10 studentë pranojnë ekzistencën e korrupsionit në tetë universitetet publike.
Studentët raportojnë probleme me plagjiaturën, profesionalizmin dhe mungesat e pedagogëve.
8 ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të larguar nga Vetingu janë rikthyer në jetën akademike si pedagogë.
Në 4 vitet e fundit janë akuzuar për korrupsion nga organet e hetimit penal 50 pedagogë dhe punonjës universitetesh, kryesisht në universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Bujqësorit.
Ndër gjetjet kryesore bie në sy fakti se rreth 9 nga 10 studentë (89.98%) pranojnë ekzistencën e korrupsionit në tetë universitetet publike të marra në analizë, ku forma më e përhapur me 46.62% mbetet pagesa në këmbim të notës, e ndjekur nga shitblerja me detyrim e librave.
Rreth 1 në 10 studentë (9.61%) pranojnë se kanë ofruar ryshfet për të marrë një notë më të mirë, fakt që provon se korrupsioni në arsim mbetet një fenomen kompleks dhe i vështirë për t’u adresuar.
Qëndresa Qytetare identifikon 8 raste të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të Vetingut apo shmangies së tij, të cilët janë rikthyer në jetën akademike si pedagogë në universitete publike dhe private. Ky është një hap mbrapa sa i përket angazhimeve në kuadër të direktivave të BE-së dhe integritetit akademik.
Këshillat e Etikës, në 4 vite (2021–2025), kanë trajtuar vetëm 16 çështje në 8 universitete publike, ndërkohë 54.17% e studentëve shprehen se kanë “pak” ose “aspak” besim se në universitete trajtohen drejt rastet korruptive.
Sa i përket perceptimit të studentëve mbi stafet akademike:
• 69.84% e studentëve të Universitetit të Tiranës perceptojnë plagjiaturën si fenomen të përhapur tek pedagogët,
• 73.4% e studentëve besojnë se brenda fakulteteve ka pedagogë që nuk e zotërojnë lëndën që japin,
• 22.92% e studentëve shprehen se pedagogët e respektojnë pak ose aspak orarin e caktuar, çka përbën një tregues shqetësues për mungesën e disiplinës profesionale në një pjesë të institucioneve.
Zgjidhja kryesore për problematikat e integritetit akademik, sipas rreth gjysmës së studentëve, mbetet vetingu në akademi.


