Prokuroria në Dhomat e Specializuara në Hagë ka paraqitur kërkesën për dënim të përbashkët prej 45 vitesh burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në hapje të fjalës së saj përmbyllëse.
Kryeprokurorja Kimberly West deklaroi se Prokuroria synon dënimin e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës, duke kërkuar një vendim të vetëm që reflekton përgjegjësinë individuale të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krimet e pretenduara.
Sipas saj, veprat penale të përfshira në këtë çështje përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy dekada, mbeten të rënda dhe me peshë juridike të pandryshuar.
West foli edhe për dëshmitë e dhëna nga ndërkombëtarët, duke theksuar se mungesa e njohjes së gjuhës ka ndikuar në qasjen e tyre ndaj informacionit, duke bërë që disa prej tyre të mos kenë pasur një pasqyrë të plotë të rrethanave.
Në deklarimet e saj, kryeprokurorja trajtoi gjithashtu çështjen e frikësimit të dëshmitarëve dhe rëndësinë e mekanizmave të mbrojtjes, duke vlerësuar se gjykata ka arritur të konsolidohet dhe të funksionojë si institucion efektiv brenda një kohe të shkurtër. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për viktimat dhe dëshmitarët, duke i cilësuar ata si shtylla kryesore të procesit.
Prokuroria nisi paraqitjen e akuzave dhe provave që lidhen me periudhën para dhe gjatë vitit 1998, kohë kur, sipas saj, strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin nisur funksionimin dhe të akuzuarit kishin rol kyç në to.
Sipas rendit procedural, gjatë ditës së parë do të prezantohen provat e Prokurorisë për përfshirjen e të akuzuarve në krime. Ditën pasuese do të dëgjohen përfaqësuesit e viktimave, ndërsa të mërkurën dhe të enjten janë parashikuar paraqitjet e mbrojtjes dhe të vetë të akuzuarve. Vendimi pritet të merret brenda 90 ditëve nga përfundimi i seancave.