Policia e Durrësit ka arrestuar 37-vjeçarin Xhulio Golgota, i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum.
Sipas njoftimit zyrtar, Golgota u ndalua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendim të datës 3 shkurt 2026, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
37-vjeçari ka ushtruar detyrën e inspektorit të mjedisit në portin e Durrësit në periudhën kur është realizuar eksportimi i sasisë së mbetjeve të cilësuara si të rrezikshme.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë përgjegjësitë individuale në lidhje me procedurat e ndjekura për transportin dhe daljen jashtë vendit të këtyre mbetjeve.