Ceremonia e diplomimit të kadetëve në Akademinë e Forcave të Armatosura në Tiranë

Në Tiranë u zhvillua ceremonia e diplomimit të 90 kadetëve të rinj, mes tyre 5 nga Republika e Kosovës, duke nisur një rrugëtim të ri në shërbim të atdheut dhe mbrojtjes së vendit.

Sot në Akademinë e Forcave të Armatosura u mbajt ceremonia solemne e diplomimit të 90 studentëve, përfshirë edhe pesë kadetë nga Kosova. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Ministri Vengu u shpreh me fjalë nderimi për mbi 1,000 efektivët e Forcave të Armatosura që u angazhuan heroikisht në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë vendin në ditët e fundit. Ai theksoi se misioni i tyre është një shembull i qartë i heroizmit të heshtur në kushte të jashtëzakonshme.

“Është nder të jem sot këtu me ju, jo vetëm për ceremoninë, por për të festuar krenarinë institucionale. Forcat e Armatosura nuk janë vetëm një dekor, por janë kocka, muskuj dhe ndërgjegje. Këtë e dëshmuan mbi 1,000 efektivë që u përballën me flakët që shkatërruan male dhe fusha, duke kryer me guxim një mision të jashtëzakonshëm,” tha Vengu.

Ministri e konsideroi diplomimin si një moment krenarie për kadetët dhe familjet e tyre, duke nënvizuar se diploma që ata mbajnë sot nuk është fundi, por fillimi i një rrugëtimi të vështirë dhe plot sfida në shërbim të vendit.

“Ky është një rrugë shpesh e vetmuar, por e drejtë, ku disiplina bëhet virtyt dhe sakrifica merr kuptim. Në një kohë kur gjithçka relativizohet, profesioni juaj mbetet i pakontestueshëm në vlera,” theksoi ministri.

Nga ana tjetër, komandanti i Shkollës së Bashkuar, Bardhyl Nuredinaj, përkujtoi rëndësinë e betimit ushtarak para flamurit kombëtar. Ai e përshkroi betimin jo vetëm si një tekst formal, por si një angazhim moral, ligjor dhe atdhetar për mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe kontributin në paqen kolektive.

Ky diplomim shënon një kapitull të ri për kadetët, të cilët tani kanë përgjegjësinë e madhe për të shërbyer me nder dhe përkushtim në Forcat e Armatosura të vendit.

Ndaj Postimin: