Ceremonia e diplomimit, një hap drejt sfidave të reja për të rinjtë e Shkollës Profesionale Petro Sota

Të diplomuarit e Shkollës Profesionale Petro Sota nisin një kapitull të ri, me shpresë, krenari dhe mundësi konkrete punësimi

Në ambjentet e Shkollës së Mesme Profesionale “Petro Sota” u zhvillua sot ceremonia e diplomimit, një moment i rëndësishëm për maturantët, familjarët, mësuesit dhe të gjithë komunitetin që e ka ndjekur nga afër rrugëtimin e këtyre të rinjve.

Atmosfera ishte e ngrohtë dhe emocionale, ndërsa fjala përshëndetëse e drejttoreshës Arta Lekaj mbajtur gjatë ceremonisë përcolli reflektime, urime dhe porosi të vlefshme për të ardhmen. U theksua se ky moment është më shumë se një mbyllje; është një hapje e re drejt mundësive dhe sfidave që presin pas bankave të shkollës.

Viti shkollor solli gëzime dhe sfida, por mbi të gjitha tregoi vendosmërinë dhe rritjen personale të nxënësve. Me shumë përpjekje dhe përkushtim, shkolla arriti të përmbyllë me sukses edhe procesin e akreditimit, duke garantuar standarde cilësie që u shërbejnë drejtpërdrejt të ardhmes së të rinjve.

Në fjalimin përmbyllës u nënvizua rëndësia e përgjegjësisë që i pret të rinjtë nga kjo ditë e tutje. Ata që zgjedhin rrugën akademike do të kenë sfida të reja, ndërsa ata që hyjnë në tregun e punës do të përfitojnë nga bashkëpunimet me kompani partnere, si Yura Corporation, Vegas Group dhe Abkons, të cilat ofrojnë vende të lira pune në sektorin teknik dhe energjinë.

Pozicionet e ofruara përfshijnë role si teknik elektrik, elektromekanik, operator nënstacioni dhe mekanik. Mësuesit kujdestarë do të vijojnë të njoftojnë nxënësit për çdo mundësi të re punësimi që hapet në vijim.

Disa nga të diplomuarit, të cilët kanë treguar angazhim të lartë në praktikat profesionale, kanë nisur të ndërtojnë rrugën e vetëpunësimit. Raste suksesi nga të diplomuarit e viteve të kaluara shërbejnë si dëshmi e gjallë se arsimi profesional është një zgjedhje e fortë për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.

Me nota krenarie u theksua se çdo nxënës i diplomuar është reflektim i vlerave që kjo shkollë mbjell dhe kultivon. Kjo rrugë nuk është “plani B” për jetën, por një portë serioze drejt arritjeve reale dhe të denja.

Në fund të fjalës përshëndetëse, maturantëve iu bë një thirrje që të mos e ndalin guximin, të mos e harrojnë disiplinën dhe të mos kënaqen me pak, kur brenda tyre kanë shumë për të dhënë. Jeta shpërblen ata që përpiqen dhe jo thjesht ata që ëndërrojnë.

Ceremonia u mbyll me duartrokitje dhe urime për një rrugëtim të mbarë për çdo të diplomuar. Një faqe u mbyll sot në Shkollën Profesionale “Petro Sota”, por shumë faqe të reja presin të shkruhen nga këta të rinj që tashmë janë gati për hapin tjetër.

Ndaj Postimin: