Centrali fotovoltaik në Fier merr dritën jeshile, shteti përfiton 2% të prodhimit vjetor të energjisë

Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali të ri fotovoltaik në qarkun e Fierit, duke i hapur rrugë një investimi të rëndësishëm në sektorin e energjisë së rinovueshme. Projekti parashikon që kompania private përgjegjëse t’i japë shtetit shqiptar një pjesë të prodhimit vjetor të energjisë elektrike, në formë royalty.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe lidhet me ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në zonën Sheq–Marinas, në territorin e Bashkisë Fier. Projekti do të realizohet nga shoqëria “SOLEN ENERGY”, sh.p.k. dhe nuk është objekt koncesioni, as nuk përfiton nga skema mbështetëse shtetërore.

Sipas aktit të miratuar, centrali do të ketë një kapacitet të instaluar prej 128 MW, ndërsa afati për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në funksion është parashikuar brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Afati i operimit të impiantit është 49 vjet.

Një nga elementët kryesorë të vendimit është detyrimi i kompanisë që t’i dorëzojë falas shtetit shqiptar 2% të sasisë vjetore të energjisë elektrike të prodhuar. Kjo sasi mund të jepet ose fizikisht në energji, ose të konvertohet në vlerë monetare, e cila në çdo rast duhet të derdhet plotësisht në buxhetin e shtetit.

Vendimi parashikon gjithashtu që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të ushtrojnë mbikëqyrje periodike çdo tre muaj gjatë fazës së ndërtimit, vënies në punë dhe operimit të centralit, për të garantuar respektimin e dokumentacionit teknik, cilësinë e punimeve dhe konformitetin me projektin e miratuar.

Shoqëria “SOLEN ENERGY” detyrohet, ndër të tjera, të paraqesë raporte periodike mbi ecurinë e punimeve, të respektojë kushtet mjedisore dhe autorizimet përkatëse, si dhe të depozitojë një sigurim kontrate jo më pak se 5% të vlerës së investimit përpara nënshkrimit të marrëveshjes me ministrinë përgjegjëse.

Në varësi të legjislacionit në fuqi, kompania mund të detyrohet gjithashtu që një pjesë e prodhimit të energjisë t’i shitet furnizuesit publik.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare, duke shënuar një tjetër hap të qeverisë drejt zgjerimit të kapaciteteve të energjisë së rinovueshme dhe rritjes së përfitimit publik nga investimet private në këtë sektor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033