Aktori turk me origjinë shqiptare, Can Yaman, ka reaguar publikisht ndaj lajmeve që qarkulluan së fundmi, sipas të cilave ai ishte arrestuar në Turqi për posedim droge. Përmes një reagimi të drejtpërdrejtë, aktori i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.
Yaman shprehet se është përballur prej kohësh me raportime të padrejta, por thekson se akuzat e fundit kanë tejkaluar çdo kufi. Ai nënvizon se nuk ka asnjë bazë reale për lajmet e publikuara dhe se logjikisht ato bien ndesh me faktet.
Sipas tij, nëse akuzat do të kishin qenë qoftë edhe minimalisht të vërteta, ai nuk do të ishte liruar brenda një kohe kaq të shkurtër dhe as do të kishte pasur mundësinë të udhëtonte menjëherë jashtë vendit. Aktori thekson se ndodhet në një periudhë kur autoritetet po kryejnë hetime të gjera dhe arrestime të shumta, çka, sipas tij, e bën edhe më absurde përhapjen e një lajmi të tillë.
Në reagimin e tij, Yaman u bën thirrje mediave që të mos përsërisin apo riprodhojnë informacione të paverifikuara dhe të tregojnë kujdes në raportimin e lajmeve që prekin jetën dhe reputacionin e individëve publikë.