Byroja e Kuvendit ka vendosur të lërë në fuqi përjashtimin me 30 ditë pune nga aktiviteti parlamentar për gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, të përfshirë në aksionin me flakadanë gjatë seancës plenare të fundit të vitit të kaluar.
Vendimi u mor në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, instanca e fundit ku shqyrtohen ankimimet ndaj masave disiplinore për deputetët. Gjatë mbledhjes pati debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe deputetëve të opozitës, të cilët e cilësuan ndëshkimin të padrejtë dhe politik.
Deputetët e përjashtuar pretendojnë se masa u mor për shkak të protestës së tyre kundër pranisë së zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se po e përdor institucionin si mburojë politike. Deputetja Elda Hoti deklaroi se ndëshkimi erdhi pasi opozita reagoi ndaj faktit që Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, duke theksuar se në vendet demokratike zyrtarët e akuzuar mbajnë përgjegjësi politike.
Pas përfundimit të mbledhjes, përfaqësuesit e Partisë Demokratike paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative për të kundërshtuar vendimin, duke iu referuar rasteve të mëparshme kur kjo gjykatë ka rrëzuar masa disiplinore të vendosura nga Kuvendi.
Për kaosin e krijuar në seancën plenare të 23 dhjetorit, Partia Socialiste kishte kërkuar ndëshkimin e 29 deputetëve të opozitës, përfshirë edhe kryetarin e grupit parlamentar Gazment Bardhi. Megjithatë, Komisioni i Etikës vendosi të amnistojë shumicën e tyre, duke lënë në fuqi përjashtimin vetëm për Belind Këllicin, Fidel Krekën, Albana Vokshin, Klevis Balliun, Flamur Nokën dhe Elda Hotin.
Si pasojë e vendimit të Byrosë, gjashtë deputetët do të qëndrojnë jashtë Kuvendit deri në ditët e para të muajit mars.