Skuadra e Bylisit vijon përgatitjet me dy seanca në ditë, ndërsa priten afrimet e Brunos dhe Ibrahimit për të kompletuar organikën.
Në Ballsh, atmosfera stërvitore ka hyrë në një fazë më intensive, teksa Bylisi ka kaluar në dy seanca ditore që përfshijnë punë me topin dhe ngarkesa fizike. Klubi duket se po e sheh me seriozitet fazën përgatitore, ku nga dita e sotme janë shtuar edhe ushtrimet në palestër.
Megjithatë, grupi ende nuk është i plotë. Nga jashtë vendit priten dy lojtarë me kontratë aktive: sulmuesi nigerian Mustafa Ibrahim dhe mbrojtësi brazilian Bruno. Klubi ndërkohë po shqyrton disa oferta për 3 ose 4 titullarë, të cilët po kërkohen nga skuadra brenda dhe jashtë kufijve.
Përgatitjet këtë sezon kanë nisur shumë më herët se vitin e kaluar, çka reflekton ambicien e drejtuesve mallakastriotë për një sezon ndryshe. Në ditët në vijim pritet të zyrtarizohet faza kryesore përgatitore, si dhe ndeshjet miqësore që mund të zhvillohen me ekipe të Kategorisë së Parë.
Kampionati është ende më shumë se një muaj larg, por ballshiotët janë në linjë me kohën. Grupi aktual është i konsoliduar dhe bazohet te një bërthamë që tregoi paraqitje pozitive sezonin e kaluar. Pikërisht ky stabilitet do të jetë baza për ndërtimin e një skuadre më konkurruese.
Bylisi synon të afrojë emra cilësorë në merkato, kryesisht në repartet e portës, sulmit dhe mbrojtjes. Strategjia është e qartë: përforcime që sjellin ndryshim të menjëhershëm në lojë dhe rezultate.
Përvoja në elitën e futbollit shqiptar është një tjetër armë e Bylisit, krahas një grupi lojtarësh që njohin mirë nivelin. Pritet që në merkato të ketë edhe lëvizje surprizë, pasi drejtuesit kanë treguar më parë aftësi për të sjellë emra me përvojë ndërkombëtare, futbollistë vendas që kanë spikatur dhe të rinj premtues që synojnë të lënë gjurmë në elitë.