Bumi turistik i Shqipërisë nën lupën ndërkombëtare: sukses ekonomik, por alarm për mjedisin

Media ndërkombëtare të specializuara në turizëm po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje rritjes së shpejtë të turizmit në Shqipëri, por këtë herë jo vetëm si histori suksesi. Sipas Travel and Tour World, rritja e vrullshme e numrit të vizitorëve po shoqërohet me presion të fortë mbi mjedisin, vijën bregdetare dhe komunitetet lokale.

Në vitin 2024, Shqipëria priti rreth 11.7 milionë turistë të huaj, pothuajse dyfishin e shifrave para pandemisë dhe 82% më shumë se 6.4 milionë vizitorët e vitit 2019. Në vitin 2023, vendi regjistroi 10.1 milionë turistë. Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së e ka renditur Shqipërinë ndër destinacionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.

Turizmi kontribuon me rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në vitin 2024 gjeneroi rreth 5 miliardë euro shpenzime nga vizitorët. Plazhet përgjatë detit Jon dhe Adriatik, çmimet e përballueshme dhe trashëgimia kulturore, përfshirë qytetet e mbrojtura nga UNESCO si Berati dhe Gjirokastra, janë ndër faktorët kryesorë të rritjes.

Megjithatë, raporti evidenton rreziqe serioze. Në zona si Golemi dhe Durrësi, ndërtimet intensive kanë përshpejtuar erozionin bregdetar, ndërsa në Velipojë deti po përparon duke dëmtuar pyje të mbrojtura. Zhvillime pranë zonave të ndjeshme si Parku Kombëtar i Butrintit dhe lugina e Vjosës përbëjnë kërcënim për biodiversitetin.

Rritja e qirave afatshkurtra në qytete si Tirana, Vlora dhe Saranda ka ushtruar presion mbi banorët vendas, ndërsa shërbimet publike përballen me mbingarkesë gjatë sezonit veror.

Qeveria ka nisur nismën “Touristic Albania 2030”, që synon rregulla më të rrepta ndërtimi dhe promovim të zhvillimit të qëndrueshëm. Parashikohet mbrojtje më e fortë për zonat ekologjikisht të ndjeshme, si Alpet Shqiptare, si dhe diversifikim i ofertës drejt turizmit malor dhe destinacioneve të brendshme.

Sipas analizës, sfida kryesore për Shqipërinë mbetet balancimi i rritjes ekonomike me ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë kulturore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033