Kreditimi i bujqësisë mbetet në nivele minimale, pavarësisht programeve të qeverisë dhe bankës qendrore, ndërsa prodhimi bujqësor po bie në minimumin historik
Prej më shumë se një dekade, bankat dhe institucionet shtetërore kanë premtuar rritjen e kreditimit për sektorin bujqësor, por statistikat tregojnë një realitet të pandryshuar. Vitin e kaluar, kredia e re për bujqësinë ishte vetëm 2.7 miliardë lekë, rreth 1% e totalit të kredive për biznes. Portofoli total i këtij sektori në maj 2025 ra me 3.1%, duke zbritur në 6.1 miliardë lekë, niveli më i ulët i dhjetë viteve të fundit.
Ekspertët thonë se bankat e shmangin bujqësinë për shkak të riskut të lartë, mungesës së garancive, informalitetit dhe fragmentimit të tokës. Financimi fokusohet kryesisht tek agropërpunuesit e mëdhenj, ndërsa fermerët e vegjël mbeten të varur nga shoqatat e kursim-kreditit ose institucionet jo-bankare, që ofrojnë hua me norma më të larta interesi.
Një tjetër pengesë madhore është mungesa e sigurimeve bujqësore. Produktet ekzistuese janë të pakta dhe shumë të shtrenjta.. Specialistët sugjerojnë që shteti të subvencionojë pjesërisht kostot e sigurimit për të ulur rrezikun dhe për të hapur rrugën drejt financimit bankar të fermerëve.
Në janar 2025, Banka e Shqipërisë nisi një program kredish për bizneset e vogla dhe të mesme me interes maksimal 3.5%, duke e prezantuar si mundësi për sektorin bujqësor. Por analistët dyshojnë se ky instrument do të përdoret për fermerët e vegjël, pasi marzhi i ulët nuk mbulon kostot e larta të riskut dhe operimit në këtë sektor.
Qeveria ka paralajmëruar edhe një garanci sovrane prej 3 miliardë lekësh që do të mbulojë deri në 70% të principalit të huasë për fermerë dhe NVM, me qëllim investimet në agropërpunim, mekanizim, agroturizëm e akuakulturë. Megjithatë, historiku i skemave të mëparshme tregon përdorim të kufizuar dhe mungesë efekti afatgjatë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë një krizë të thellë prodhimi në bujqësi. PBB-ja e sektorit është tkurrur katër vite radhazi, me rënie prej 2% në vitin 2024 dhe një tjetër rënie prej 0.46% në tremujorin e parë 2025. Pesha e bujqësisë në ekonominë kombëtare ka rënë në 15.45%, nga gati 20% një dekadë më parë.
Në kushtet kur prodhimi po bie dhe financimi mbetet i bllokuar, sektori bujqësor rrezikon të humbasë rolin e tij historik në ekonominë shqiptare. Pa reforma strukturore, sigurime efektive dhe mekanizma realë kredidhënieje, bujqësia mund të mbetet në periferi të zhvillimit ekonomik.