Bujqësia në fokus, qeveria dhe Banka e Shqipërisë nxisin kreditimin me norma të subvencionuara

Qeveria dhe Banka e Shqipërisë po intensifikojnë përpjekjet për të rritur kreditimin në sektorin e bujqësisë përmes Skemës së Garancisë Sovrane, e cila parashikon kredi me normë interesi të kufizuar në 2% dhe mbulim deri në 70% të vlerës së financimit.

Në një takim të zgjeruar të organizuar nga Ministria e Financave, ku morën pjesë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ministri i Bujqësisë dhe drejtues të bankave tregtare, u diskutua progresi i deritanishëm i skemës dhe mënyrat për rritjen e përthithjes së saj nga fermerët dhe bizneset agro-përpunuese.

Skema e Garancisë Sovrane për bujqësinë, me një fond prej 3 miliardë lekësh (rreth 30 milionë euro), mbështet për herë të parë drejtpërdrejt fermerët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor.

Garancia shtetërore mbulon deri në 70% të kredisë, me:

  • normë interesi maksimal 2%
  • periudhë grace minimale 12 muaj
  • pa penalitete për shlyerje të parakohshme

Ministri i Financave theksoi se bujqësia mbetet prioritet strategjik, veçanërisht në prag të integrimit ekonomik në tregun e përbashkët europian. Rritja e produktivitetit dhe e vlerës së shtuar përgjatë zinxhirit prodhues kërkon financim të qëndrueshëm dhe instrumente mbështetëse funksionale.

Guvernatori Gent Sejko nënvizoi se skema është konceptuar si instrument plotësues, që përmirëson transmetimin e kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur stabilitetin financiar dhe parimet e menaxhimit të rrezikut.

Sipas të dhënave të sektorit bankar, pas një periudhe fillestare njohjeje me skemën, muajt e fundit është shënuar rritje e aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agropërpunuese.

Institucionet pjesëmarrëse riafirmuan angazhimin për koordinim të vazhdueshëm me bankat dhe për orientimin e fermerëve drejt mundësive të financimit, me synim zgjerimin e investimeve dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033