Komisioneri Europian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke deklaruar se vendi ndodhet në drejtimin e duhur dhe ka shënuar përparim konkret në përafrimin me politikat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Brunner ka ndarë qëndrimin e tij përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku thekson se Shqipëria ka avancuar në harmonizimin e kuadrit ligjor dhe politikave kombëtare me acquis të BE-së. Sipas tij, ky progres përbën një bazë të rëndësishme për vijimin e procesit të anëtarësimit.
“Mesazhi im është i qartë: qëndroni në rrugën e duhur. Shqipëria është në rrugën e duhur”, ka theksuar Brunner, duke nënvizuar se reformat e ndërmarra kanë dhënë rezultate konkrete.
Në kuadër të vizitës, Komisioneri Europian ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, ministren e Brendshme Albana Koçiu, përfaqësues të trupit diplomatik të Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho. Takimet janë fokusuar te çështjet e migracionit, sigurisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe institucioneve europiane.
Vlerësimet e Brunner vijnë në një moment të rëndësishëm për procesin integrues, ndërsa Shqipëria synon të përshpejtojë zbatimin e reformave dhe hapjen e mëtejshme të kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.