Brukseli 49 milionë euro për Shqipërinë, mbështetje për klimën e biznesit dhe digjitalizimin. Ja si do të ndahen.

Komisioni Europian ka disbursuar 49 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit zyrtar, fondet janë miratuar pas vlerësimit pozitiv të reformave të ndërmarra nga autoritetet shqiptare në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit, inovacionit dhe lehtësimit të investimeve, si pjesë e kërkesës së tretë për pagesë.

Nga shuma totale, 22.8 milionë euro do të kalojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër do të financojë projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), pas procedurave përkatëse të miratimit.

Brukseli ka vlerësuar masat e marra nga Shqipëria për përmirësimin e klimës së biznesit, zgjerimin e aksesit në financim dhe mbështetjen për startup-et, si dhe për zhvillimin e sektorëve digjitalë dhe të gjelbër.

Me këtë disbursim, shuma totale e fondeve të lëshuara për Shqipërinë në kuadër të këtij instrumenti arrin në 212.8 milionë euro.
Paralelisht, Komisioni Europian ka miratuar edhe pagesa për vendet e tjera të rajonit, përfshirë 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut, në kuadër të mbështetjes për reforma në inovacion, arsim dhe digjitalizim.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE në vitin 2023, synon të përshpejtojë afrimin e vendeve të rajonit me tregun e përbashkët europian dhe të mbështesë procesin e integrimit përmes reformave ekonomike dhe investimeve strategjike.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033